Policia e Shtetit
 
Në kuadër të takimeve prezantuese të objektivave, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, Lezhë dhe Shkodër, si dhe me strukturat e drejtorive vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Gjirokastër dhe Shkodër.
 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka theksuar se ndryshimin e vizionit për një qasje ndryshe ndaj komunitetit dhe në luftë ndaj krimit, me qëllim vendosjen e një standardi të ri për metodologjinë e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, e ka mision dhe sfidë personale dhe kjo kërkesë llogarie nga ana e tij do të jetë e njëjtë deri ditën e fundit që do të jetë në këtë detyrë.
 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka theksuar gjithashtu:
 
“Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, realizimi i detyrave, prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara më parë dhe atyre të vendosura në kuadër të 100 ditëve, do të jenë të vetmit faktorë që do të përcaktojnë vijimesinë tuaj në detyrë.
 
Ndryshoni menjëherë metodologjinë e punës, duke filluar nga drejtori e deri te shefi i seksionit, mos komandoni nga zyrat por dilni në terren, kontrolloni, mbështesni, ndihmoni dhe orientoni shërbimet që keni në varësi, për të përmbushur sa më mirë detyrën në shërbim te qytetarëve.
 
Kërkoj impenjim maksimal dhe profesional, për hetime të thelluara, duke bashkëpunuar me prokuroritë respektive dhe agjencitë ligjzbatuese.

Intensifikoni masat, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë.
 
Intensifikoni kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve nakotike në terren të hapur dhe në ambiente të mbyllura.
 
Grumbulloni informacion për lokalizimin dhe mundësoni kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri ose me lëndë narkotike.
 
Krimi ekonomik të zhvillojë hetime proaktive kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
 
Të përmirësohet sa më parë komunikimi i shërbimeve të Rendit dhe i shërbimeve të Policisë Rrugore, me qytetarët.
 
Policia Rrugore të vërë në përdorim teknologjinë dhe të shmangë kontaktet me përdoruesit e rrugës. Monitoroni akset rrugore nacionale, rurale dhe qendrat e banuara, me mjetet inteligjente dhe ndëshkoni maksimalisht shkeljet që janë burim potencial për ngjarje rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin.
 
Të ndiqen me rigorozitet dhe të trajtohen me përgjegjshmëri e profesionalizëm rastet e dhunës në familje, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera përgjegjëse, me qëllim parandalimin e krimit në familje.
 
Të trajtohen me seriozitet ankesat dhe problematikat që adresojnë qytetarët deri në zgjidhjen e tyre, si dhe të informohen qytetarët për zgjidhjen e ankesës apo për mënyrën si duhet adresuar ankesa e qytetarit që të gjejë zgjidhje.
 
Të merren masa për garantimin e rendit dhe sigurisë në shkolla, duke zbatuar me përpikmëri planin e masave për këtë qëllim. Të bashkëpunohet me stafet drejtuese të shkollave, oficërët e sigurisë në shkolla, psikologët dhe bordet e prindërve, me qëllim parandalimin e depërtimit të fenomeneve kriminale në ambientet e shkollave, si dhe për zgjidhjen në kohë të konflikteve midis nxënësve apo midis tyre dhe personave të jashtëm.
 
Parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore të jenë ndër prioritetet parësore të punës së strukturave vendore të Policisë.

Të luftohen krimet ndërkufitare, ato që mund të zhvillohen nëpërmjet detit, kufirit të gjelbër apo nëpërmjet pikave të kalimit kufitar. Të rritet efikasiteti i goditjes së veprimtarive kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të mjeteve motorike, kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët hyjnë ilegalisht në vendin tonë, përmes kufirit të gjelbër me shtetin grek.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu