Ballina Aktualitet Zjarret vijojnë në Pukë, dy helikopterë ndërhyjnë në Gojan të Vogël

Zjarret vijojnë në Pukë, dy helikopterë ndërhyjnë në Gojan të Vogël

Vijon operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, në Bashkinë Pukë. Situata në Gjegjan paraqitet më e qetë, ndërsa aktualisht nuk raportohet përparim i vatrës së zjarrit. Zona po monitorohet nga forcat vendore. Në Gojan të Madh janë evidentuar riaktivizime të vatrave gjatë natës, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur normalizimin e situatës. Në lagjen Pepaj, zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej zonës së izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme. Edhe kjo zonë vijon të mbahet nën monitorim. Vatra më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku zjarri vijon të jetë aktiv dhe po përhapet në zbritje në drejtim të zonës së banuar. Megjithatë, deri në këto momente, flakët nuk janë në afërsi kritike të banesave. Për shuarjen e kësaj vatre është përqendruar ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, në koordinim me efektivët e Forcave të Armatosura dhe forcat operacionale vendore që veprojnë nga toka. Në Prozhëm raportohet avancim i vatrës së zjarrit. Prej ditës së djeshme janë dislokuar dy mjete zjarrfikëse, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe banesave, si dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast se flakët afrohen drejt zonës së banuar. Operacioni koordinohet sipas dinamikës së situatës, si nga ajri, ashtu edhe nga toka. Në të gjithë zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra. Në terren ndodhen gjithashtu 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura nga RKV. Prefektura e Qarkut Shkodër, në koordinim me Bashkinë Pukë, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon koordinimin dhe monitorimin e operacionit.

Ndërhyrjet janë intensifikuar në zonat me rrezikshmëri më të lartë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks