Miratimi në Kuvend i disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kanë bërë më të qarta disa etapa të rëndësishme të procesit përgatitor nga KQZ-ja të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Ajo që spikat më shumë është fakti se afati i fundit për regjistrimin e partive të cilat do të hyjnë në garë është data 25 shkurt 2025.
Lidhur me koalicionet, ato do të duhet të regjistrohen deri më 7 mars 2025, kurse lista shumëemërore e kandidatëve për deputetë, do të duhet të dorëzohen në KQZ brenda 12 marsit 2025.
Afatet kryesore të procesit zgjedhor
- 25 Shkurt – Përfundon afati për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare.
- 25 Shkurt – KSHZ publikon listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë.
- 3 Mars – Përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
- 12 Mars – Përfundon afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve.
- 17 Mars – Përfundon afati për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve.
- 20 Mars – Përfundon afati për plotësimin e dokumentacionit të kandidimit.
- 25 Mars – Përfundon afati për miratimin e listave shumemërore.
“Theksoj se shtesa kohore prej 10 ditësh e fituar nga ndryshimi i afateve ka ndihmuar në përgatitjen më të mirë të dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë.”, tha Celibashi.
Ndryshimet kanë sjellë edhe disa lehtësi të tjera në lidhje me votimin e shqiptarëve jashtë vendit. Shpenzimet postare për fletën e votimit do të mbulohen plotësisht nga shteti dhe se mund të përdoren edhe dokumente identifikimi përtej afateve të që i kanë bërë ato të pavlefshme.
Gjatë një takimi me median, kryekomisioneri Celibashi ka shprehur vlerësimin për deputetët në Kuvend për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të propozuara nga KQZ.
Cilat janë ndryshimet në lidhje me votimin nga jashtë?
Ndryshimet kryesore në lidhje me votimin nga jashtë janë: E drejta e ankimit për zgjedhësit nga jashtë.
Nëse një zgjedhës, i cili ka aplikuar për t’u regjistruar si votues nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, konstaton se nuk figuron në listë ose ka pasaktësi në të dhënat e tij, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, deri 30 ditë para zgjedhjeve.
Sipas Celibashit, kërkesa mund të dorëzohet online përmes një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke shmangur nevojën për paraqitje fizike në gjykatë.
Kostot e dërgimit të fletës së votimit
“Buxheti i Shtetit do të mbulojë të gjitha kostot financiare për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit ndërmjet KQZ-së dhe votuesve jashtë vendit.”, theksoi Celibashi.
Ai përsëriti apelin për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim në platformën PER, që të riprovojnë aplikimin brenda afateve të përcaktuara.
KQZ ka vënë në dispozicion një shërbim asistence përmes të gjitha kanaleve të komunikimit dhe ka krijuar një sistem të dedikuar për rezervimin e telefonatave për ndihmë të drejtpërdrejtë me strukturat e KQZ-së.
Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë
Sipas ndryshimeve të fundit, procesi do të kryhet nga një komision prej 4 anëtarësh dhe një sekretari, të emëruar nga KSHZ:
- 2 anëtarë do të propozohen nga partia më e madhe e shumicës parlamentare.
- 2 anëtarë do të propozohen nga partia më e madhe e pakicës parlamentare.
- Sekretari, me profesion jurist, do të emërohet përmes një procesi të hapur aplikimi.
Grupet e numërimit do të përbëhen nga 2 anëtarë:
- 1 anëtar nga partia më e madhe e shumicës parlamentare.
- 1 anëtar nga partia më e madhe e pakicës parlamentare.
Ndryshimet në afatet e regjistrimit të subjekteve zgjedhore
Afati për dorëzimin e kërkesave të partive politike për regjistrim si subjekte zgjedhore është 75 ditë para zgjedhjeve. Ndërsa 70 ditë para zgjedhjeve është afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore. Kurse afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve është 60 ditë para zgjedhjeve.
Ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor
Janë përcaktuar rregullat për transmetimin e reklamave politike për kandidatët e listave shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes, si dhe dispozita të reja mbi shpenzimet financiare të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve.
Përgatitjet për zgjedhjet
- 93 KZAZ-të në të gjithë vendin janë konstituuar dhe janë plotësisht funksionale.
- 114,780 zgjedhës do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.