Prokuroria e posaçme dyshon se për vrasjen e Elis Roshkodolit kryer një vit më parë, është angazhuar një grup kriminal, që u krijua për të marrë hak për ngjarje të ndodhura jashtë vendit, prej nga ku viktima ishte kthyer prej një viti.
Deri më tani për atentatin që i mori jetën të riut kanë përfunduar në burg Voltan Xhani dhe kushëriri i tij që punonte në servisin e marrë me qira, në kërkim mbetet ende Dritan Milani, i cili ka dyshime se ka qenë në shenjestër të një atentati të mëparshëm ku dhe ka mbetur i plagosur i vëllai Olger Stolaj.
Prokuroria ka rindërtuar skenën e krimit, duke thënë se i riu po pinte kafe me një shokë ditën kur u qëllua për vdekje nga një person që kishte vendosur një maskë Covidi. Vrasësi mbërriti në vendngjarje me një mjet që i kishte vendosur targa të vjedhura në Malin e Zi dhe rrugës targat u ndryshuan me të tjera që ishin denoncuar si të humbura nga një shtetas gjerman i hetuar në vendin e tij për skema mashtruese të. Nga këqyrja e dhjetëra kamerave të sigurisë deri në një servis të marrë me qira prokurorët kanë bindjen se dyert e hapura të mjetit që po prisnin vrasësin tregojnë se atë po e prisnin dy ndihmës.
Por dëshmitarët e shumtë tregojnë se i riu që kishte humbur të atin vite më parë e të vëllanë në një aksident automobilistik po bëhej gati të largohej sërish nga Shqipëria. Një dëshmitar tregoi për grupin e hetimit se Elis Roshkodoli i kishte shitur makinën duke i treguar se do ikte nga vendi.
Ndërkohë e ëma pasi ka treguar fatkeqësitë e tjera familjare ka shtuar emrat e shokëve të djalit të vetëm me të cilët ai qëndronte prej kthimit nga Belgjikë disa prej të cilëve ishin nga Elbasani.
“Elisi ishte djali i vetëm që kisha gjallë”, thotë e ëma.
“Doli për kafe, nuk më ka shprehur ndonjë shqetësim. Shoqëria e tij ishte nga Elbasani dhe Korça, por edhe nga Shkodra. Po bënte pasaportën e re se do largohej nga vendi”, dëshmon e ëma e cila i ka vendosur në dispozicion prokurorëve edhe numrat e telefonit të shokëve të të birit./ top channel