Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me asambletë socialiste të Kavajës dhe Vorës, duke theksuar rëndësinë e veçantë të zgjedhjeve të 11 majit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij, Rama tha se për herë të parë, Shqipëria ka një mundësi reale për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Sot e kemi kalendarin në tavolinë të miratuar, na kanë thënë mbyllini negociatat në 2027 dhe ne do u marrim brenda në shtëpi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se është e rëndësishme të votohet për PS që puna për integrimin e Shqipërisë në BE të mos ndërpritet.
“Mjafton një rrëshqitje 6 mujore, e për të mos thënë më shumë dhe nuk arrihet më gjëja. Ajo mundësi mund të iki që aty, sepse ne kemi qenë gati për të hapur negociatat më para, por nuk ishin ata gati. Kjo është diçka shumë e madh e për tu humbur ose vënë në diskutim nga vogëlsira të tipit jam me këtë parti, ose me atë parti”, tha shefi i qeverisë.
Rama tha se më 11 maj PS duhet të arrijë një rezultat edhe më të thellë se ai i 2021 me 74 mandate dhe për t’i dhënë opozitës një “noc rrok” madhështor.
“Më 11 maj duhet tu prezantojmë atyre një noc rrok madhështor. Duhet të më ndihmoni që ta realizojmë këtë, që atyre t’i çojmë noc rrokun, po një noc rrok aq madhështor sa të thonë “ça i bëmë vetes që zgjuam noc rrokun””, tha Rama.
Në përfundim, kreu i PS-së i bëri thirrje strukturave të partisë të mobilizohen maksimalisht për të siguruar çdo votë më 11 maj, duke e quajtur këtë një test të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.