Bylis dhe Vllaznia çelin të premten në “Adush Muça” raundin e 15-të të Superligës, duke nisur nga ora 13:30. Në prag të sfidës trajneri Thomas Brdaric konfirmoi se Krymi do jetë sërish mungesë për të tijtë, ndërsa vlerësoi kundërshtarin dhe trajnerin Nevil Dede.
“I urojmë Shqipërisë Pavarësinë, kemi një objektiv për ndeshjen e nesërme në Ballsh dhe sot jemi mes përgatitjeve dhe festës. Është një ndeshje komplet ndryshe, disa javë më parë kanë sjellë një trajner me eksperiencë si Nevil Dede dhe duhet të përgatitemi sa më shumë për ndeshjen e nesërme. I kemi cilësitë dhe stilin e lojës, na pret një ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi të fokusuar për 90 minuta. Ne e dimë situatën tonë, jemi duke u rritur çdo ditë. Duhet të kemi balancë në sulm dhe mbrojtje, duhet të jemi fizikisht dhe psikologjikisht të përgatitur, të disiplinuar, sidomos në mbrojtje dhe të mos i japim mundësi kundërshtarit, na duhet një performancë e mirë nesër. Lojtarët e mëdhenj me eksperiencë gjithmonë na mungojnë, Krymi është një pikë kryesore e jona, por kemi disa djem që mund të vendosen në qendër të mesfushës. Në çdo ndeshje punohet në maksimum, sezoni është i gjatë, kemi një sfidë shumë të madhe përpara, deri më 20 dhjetor kemi shumë sfida. Nëse fitojmë nesër do të jetë edhe më e thjeshtë”.
Me 25 pikë Vllaznia mban vendin e dytë, dy pikë pas kryesuesve të Partizanit. Ndërkohë që Bylis me 10 pikë ndodhet në vendin e fundit dhe do kërkojë maksimumin në shtëpi.