Elbasani dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në barazimin 1-1 në “Elbasan Arena”, që dukej më shumë si një fitore për të dy skuadrat.
Në një sfidë të dominuar nga vendasit, kanë qenë shkodranët që gjetën golin të parët me Balajn në fillimin e pjesës së dytë. Më pas, Gjoni ktheu barazinë në shifrat për ekipin vendas, ndërsa në minuta e fundit më shumë u qarkullua topi në fushë në pritje të përfundimit të ndeshjeve të tjera.
Kjo, për faktin e thjeshtë se rezultatet e tjera i mundësuan Elbasanit të ngjitej në vendin e katërt dhe Vllaznisë në të dytin, duke bërë një hap të rëndësishëm të dy ekipet drejt objektivave sezonalë.
Tekniku i Vllaznisë, Tomas Brdaric analizoi barazimin 1-1 ndaj Elbasanit.
“Ke të drejtë, për ne është një ditë e mirë, kapëm vendin e dytë, ishte një ndeshje e fortë, ishte shumë nxehtë, ndeshje me shumë ndalesa, me zor e kapëm ritmin, na u rrit konfidenca në pjesën e dytë. Pësuam një gol nga krosi, por duhet të mbrohemi më mirë, por në fund të ditës jam i lumtur për këtë ndeshje kundër Elbasanit, fokusin e kishim te ndeshja jonë dhe jo tek të tjerët.
Ishim të përgatitur për dy opsione që të dilnim mirë, Elbasani mbrojti mirë se kur luanim me topa të gjatë shkonin pas shpinës tyre, minutat e para kishim probleme por më pas e rikuperuam dhe dolëm më mirë, normale mund të rikuperojmë por disa situata mund ti bëjmë më mirë.
Pas ndeshjes me Dinamon është e vështirë, por bëmë një ndeshje të mirë, jemi ok me këtë barazim dhe mënyrën se si luajtëm. Pikë së pari të bësh një presing në këto kushte është e vështirë, u tërhoqëm pak, duhet të ktheheshim më mirë, patëm raste të dyfishonim me Dodën, por nuk arritëm të shënonim, duhet ti kalonim këto, të kalonim kroset se e dimë që kanë cilësi, me pak fat mund të fitonim sot”, deklaroi ai.