Ballina Kronike U gjetën të kultivuara 7,446 bimë kanabis në Reç të Ri, pezullohet...

U gjetën të kultivuara 7,446 bimë kanabis në Reç të Ri, pezullohet shefi i komisariatit Shkodër, drejtuesi i Policisë Velipojë dhe 1 inspektor! Nën hetim 2 punonjës

Policia e Shtetit

U gjetën të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pezullon nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.

Nis hetimi disiplinor dhe për 2 punonjës të tjerë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit.

Pas informacionit të ardhur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për kultivimin e mijëra bimëve narkotike, në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur, lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore, u organizua menjëherë puna për asgjësimin e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të kryer një hetim të thelluar administrativ.

Për mangësi të konstatuara në mospërmbushjen e detyrave, filloi hetimi disiplinor për 5 punonjës policie, konkretisht për:

-Kryekomisar Bekim Lika me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, për të cilin është vendosur pezullimi disiplinor nga detyra;

-Nënkomisar Zef Marku me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, gjithashtu i pezulluar nga detyra;

-Inspektor Samed Kadroj me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike, i pezulluar nga detyra.

Më tej, ka nisur hetimi disiplinor, pa pezullim nga detyra, për Nënkomisar D. N., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë dhe Inspektor E. I., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë në Stacionin e Policisë Velipojë, të dy pjesë e grupit të kontrollit të territorit.

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe çdo forme të paligjshmërisë është prioritet i Policisë së Shtetit.
Çdo rast do të trajtohet me vendosmëri maksimale dhe pa asnjë kompromis, si ndaj autorëve të veprave penale, ashtu dhe ndaj çdo punonjësi policie që nuk përmbush detyrimet ligjore apo abuzon me detyrën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks