Gjatë muajit nëntor 2024, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë 1,265,009 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 15.1% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Konkretisht, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri është 660,677, një rritje prej 19.6% krahasuar me nëntorin e vitit 2023. Ndërkohë, numërohen 604,332 shtetas të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, ose 10.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lidhur me daljet nga territori shqiptar, sipas shifrave të INSTAT, gjatë muajit nëntor 2024, 645,488 shtetas të huaj dhe rreth 630,000 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar origjinën e atyre që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë. Në Nëntor të vitit aktual, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri kanë ardhur nga rajoni i Europës. Europa Jugore dominon me 85% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti, ndjekur nga Europa Perëndimore me 5%.
Pas analizës së shifrave për 11-mujorin, rezulton se gjithsej ishin më shumë se 11,045,000 shtetas të huaj që hynë në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga 9.5 milionë që ishin në të njëjtin 11-mujor të vitit të kaluar.
Për sa i përket arsyeve dhe qëllimeve të vizitës në Shqipëri nga shtetasit e huaj, në 97% të rasteve, qëllimi i hyrjes ka qenë për arsye personale, ku kryesojnë hyrjet për pushime, vizita tek të afërmit etj. Ky tregues ka shënuar një rritje prej 9.3% krahasuar me Nëntorin 2023. Po ashtu, në muajin Nëntor ka pasur një rritje të ndjeshme të hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me një rritje prej 89.4%./scan