Drejtuesja e PD për Diasporën Jozefina Topalli beson se boshti kryesor i fushatës së opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit duhet të jetë lufta kundër korrupsionit. Në një intervistë për Vizion Plus Topalli thekson se Partia Demokratike ndër vite ka treguar se di të qeverisë; duke veçuar periudhën 2005-2009 si momentin më të mirë të së djathtës; sipas Topallit PD ka treguar se nuk ka lidhje me bandat kriminale; dhe sot duhet të dalë para qytetarëve për ti bindur se PD mund dhe do ta luftojë korrupsionin.
“Kurrë korrupsioni nuk ka patur këtë nivel se sa përgjatë viteve të fundit. Është i frikshëm në fakt se fuqia e korruptimit shpartallon çdo gjë. Ndaj dhe duhet kurajo e madhe për t’i qëndruar përballë dhe për ta rrëzuar murin e korrupsionit”, theksoi Drejtuesja politike për Diasporën e PD.
Jozefina Topalli e cila ka një eksperiencë të gjatë politike vë në dukje se ekipi me të cilin PD do të synojë të bindë shqiptarët duhet të tregojë se është i vendosur për të luftuar korrupsionin. Dhe sipas saj në kushtet ku ndodhet vendi bashkimi i PD nuk mjafton që e djathta të kthehet në pushtet.Sinkron
“Nuk është i rëndësishëm bashkimi i disa individëve qofshin këta edhe deputetë. E rëndësishme është të ndërtosh frymën dhe të kesh në krah njerëz të cilët duhet të kenë një tipar të vecantë, në fakt duhet të kenë shumë, por për mua një është thelbësor në kushtet ku ndodhet Shqipëria; të jetë i vendosur për të luftuar korrupsionin”, tha ish-kryetarja e Kuvendit.
Sipas Topallit Partia Demokratike duhet të hapet e ka nevojë për njerëz të rinj për të fituar betejën elektorale kundër kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
“Absolutisht, absolutisht, për bura, për gra, për të rinj, për të reja, për njerëz me integritet dhe të shkolluar. Shqipëria ka pafund njerëz të tillë, kombi ynë ka pafund. Dhe po them një të dhënë, që më shumë të shkolluar sot ka jashtë shtetit sesa kanë mbetur brenda, sepse shtresa e mesme që është amortizatori i shoqërisë, ka ikur se këtu nuk ka shpresë”, theksoi Topalli.
Po a duhet të jetë Sali Berisha kandidat i PD për Kryeministër në zgjedhjet e 11 majit?
“Sali Berisha është kryetari i Partisë Demokratike që në zgjedhjet e fundit, pa vulë pa emrin e tij në fletën e votimit ka marrë mbi gjysmë milion vota. Për të tjerat ai ka folur vetë”, tha Topalli.
Sali Berisha do të udhëheqë betejën e PD kundër kryeministrit Edi Rama në 11 maj, dhe nëse fiton ai ka premtuar se kryeministrin do të zgjedhin demokratët me votë./vizion+