Tashmë Shkodra është shndërruar në një kryefjalë të festimeve në prag të ndërrimit të viteve, duke tërhequr qindra vizitorë që shijojnë atmosferën e veçantë. Qytetarët nga Shkodra, por edhe turistët dhe vizitorët, thonë se Shkodra duket e mrekullueshme këto ditë, dhe atmosfera është e veçantë.
Emri im është Brian Fitzgerald dhe jam nga Happy Valley, Oregon, SHBA. Kam qenë në Shqipëri për më shumë se një muaj dhe kam udhëtuar kudo, dhe Shkodra është qyteti im i preferuar deri tani, prandaj kam vendosur të transferohem këtu. Jam një veteran i ushtrisë dhe e adhuroj këtë qytet. Ky është panairi i Krishtlindjeve më i mrekullueshëm që kam parë ndonjëherë. Ne kemi disa ngjarje të shkëlqyera me tematikë Krishtlindjesh në Shtetet e Bashkuara, por asgjë si kjo. Kjo është vërtetë e pabesueshme, disa njerëz janë të mrekullueshëm, janë të ngrohtë dhe të sjellshëm, dhe unë jam thjesht i bekuar që jam në këtë qytet dhe jam këtu në këtë ambient. Prandaj, falenderoj të gjithë këtu dhe inkurajoj çdo person që të vijë dhe të vizitojë. Është e mrekullueshme këtu.
Renato Lumci, Drejtor i turizmit në Bashkinë Shkodër, konfirmon se Shkodra është kthyer në kryefjalë të festimeve. Ai thekson se, sipas kontakteve të Bashkisë Shkodër me strukturat hoteliere, akomoduese dhe restorantet, rezervimet për natën e ndërrimit të viteve janë thuajse të mbyllura, duke treguar një interes të madh për këtë destinacion.
Ndriçimet festive, muzika dhe pjesëmarrja e artistëve të njohur në vend dhe aktivitetet e shumta kanë shndërruar këtë hapësirë publike në një pikë tërheqëse për të gjithë grupmoshat. Stendat e ndryshme, shtëpizat festive, lojërat për fëmijë dhe programet kulturore kanë bërë që i gjithë muaji dhjetor të jetë festë për gjithë qytetin.