Ballina Aktualitet “Studentët janë liderët tanë në shesh”/ Nga Stefan Çapaliku te Fatos Tarifa,...

“Studentët janë liderët tanë në shesh”/ Nga Stefan Çapaliku te Fatos Tarifa, 735 pedagogë apel Ramës, protestuesve dhe ambasadave për zgjidhje politike

735 pedagogë kanë firmosur deri më tani një deklaratë me 5 pika, të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, ku mes të tjerash kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e asaj që e cilësojnë si dhunë ndaj studentëve gjatë protestave.

Mes 735 firmëtarëve spikasin emra të njohur të botës akademike dhe jetës publike, si akademiku Stefan Çapaliku, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi, akademiku Ardian Ndreca dhe Arbër Rendi, anëtar i Senatit Akademik.

Në deklaratë, pedagogët thonë se janë “të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve” dhe nga ajo që e konsiderojnë shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestës.

Në pikën e parë, firmëtarët i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe “t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit”.

Ata kërkojnë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila, sipas deklaratës, duhet të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Në pikën e dytë, thirrja i drejtohet Policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit, të cilëve u kërkohet të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojnë zbatimin e urdhrave që firmëtarët i konsiderojnë të paligjshëm.

Pika e tretë u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave pedagogët u kërkojnë të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Në pikën e katërt, firmëtarët u bëjnë thirrje protestuesve të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private, për t’i hequr, sipas tyre, çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

Në pikën e pestë, pedagogët u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës që, “njësoj si në 1991”, t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre.

“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, thuhet në fund të deklaratës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks