Atentati me dy viktima në zonën e Dukagjinit vijon të jetë pa autor ndërsa në 24 orët e fundit policia e Shkodrës ka kryer disa kontrolle në banesa dhe ka shoqëruar persona për ti marrë në pyetje. Por zyrtarisht nuk ka asnjë të ndaluar për krimin e rëndë që tronditi zonën. Ndërkohë është zbardhur një pjesë e dinamikës së ngjarjes. “Na thavi, krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para që Lazër Bashi i ka thënë një të afërmi, pak pasi arriti të largohej nga vendi ku u ekzekutuan Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, ndërsa ai vetë mbeti i plagosur. Bashi ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës dhe, pavarësisht breshërisë së plumbave, arriti të mbijetojë. Sipas të dhënave paraprake, pasi u shtri në automjet, ai u godit nga një plumb në shpatull.
I plagosuri ka qëndruar i fshehur për disa minuta, deri në largimin e autorëve, ndërsa fuoristrada kishte dalë nga kontrolli dhe ishte kthyer në një anë të rrugës. Pasi është siguruar se autorët ishin larguar, Bashi ka dalë nga automjeti duke marrë me vete edhe telefonin celular. Në vendin e ngjarjes nuk kishte sinjal telefonik, ndaj, megjithëse ishte i plagosur dhe kishte humbur gjak, ai ka vijuar të ecë për rreth 40 minuta, duke përshkuar afro dy kilometra në këmbë. I plagosuri ka arritur deri te një lokal, pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit. Aty ka telefonuar një të afërm dhe, sipas dëshmisë së tij, fjalët e para kanë qenë: “Na thavi, krahin”.
Bashi ka treguar më pas se kishte qenë në fuoristradë me Prelë dhe Lekë Gjonin në mënyrë krejt rastësore dhe se të dy ata kishin humbur jetën në vend. Para se të transportohej drejt spitalit, ai ka pastruar plagën dhe gjakun pranë një çezme pranë lokalit. Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe më pas është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët e vrasjes së dyfishtë ende nuk janë identifikuar. Në fokusin e hetimeve janë disa pista, ku kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes, pasi Lekë Gjoni mësohet të ketë patur një konflikt disa vite më herët. Sipas të dhënave të deritanishme, autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një automatik kallashnikov dhe një MP5, duke qëlluar mbi 50 herë drejt fuoristradës. Prelë dhe Lekë Gjoni mbetën të vrarë në vend. Babë e bir po ktheheshin drejt Shkodrës pasi kishin qenë në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh.
Ata u sulmuan në rrugën e Xhanit, ku autorët dyshohet se u kishin ngritur pritë. Lekë Gjoni punonte me mjete të rënda dhe merrej me transportin e materialeve të ndërtimit, ndërsa në zonën e Dukagjinit përdorte edhe një eskavator. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të kohëve të fundit dhe se ai nuk njihej si person problematik. Terreni i thepisur malor dhe mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi e bëjnë më të vështirë punën e grupit hetimor. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të dyfishtë. Nderkohë këtë të martë atyre ju është dhënë lamtumira e fundit në fshatin Grude e Re, ku ata jetonin./newspower.al






