Dëmtimet, pezullimet, madje edhe frika për të tjera pezullime për ndeshjen e dytë kundër Ukrainës,  kanë krijuar një situatë shqetësuese tek kombëtarja shqiptare para ndeshjes së rëndësishme të datës 16 nëntor kundër Çekisë.

Stafi kuqezi përfundimisht konfirmoi mungesat e Rei Manaj, Kejdi Bares, Marash Kumbullës dhe Berat Gjimshitit  për dy sfidat e fundit të ligës së kombeve që luhen të dyja në Tiranë.

Katër mungesa të cilat bëhen shtatë nëse llogarisim ata që nuk u ftuan fare për arsye dëmtimesh sikurse Broja, Medon Berisha apo Arber Pajaziti, ky i fundit kapiten i shpresave dhe shumë i pëlqyer nga trajneri Sylvinho.

Lista të paktën për ndeshjen me Çekinë zgjerohet dhe me një lojtar të pezulluar sikurse Mirlind Daku i cili me kartonin e verdhë të marrë në Gjeorgji në tetor, plotësoi numrin tre që solli edhe pezullimin e tij me një ndeshje.

Ndaj me tetë lojtarë të padisponueshëm për sfidën ndaj çekëve më 16 nëntor, ku shumica janë titullarë, Sylvinho duhet të vrasë mendjen mbi skuadrën që do të zbresë në fushë të shtunën.

Tre lojtarët e thërritur për të zëvendësuar të dëmtuarit, Arbnor Muja, Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj janë alternative, jo emra që duhet të mbajnë peshë në formacion, ndaj Silvinho do t’i gjejë titullarët tek shumica e atyre që përballuan ndeshjet e fundit në tetor kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Porta ka të sigurt Strakoshën, ndërsa mbrojtja ka problem qendrën ku besueshmërinë më të madhe e japin Ismajli dhe Ajeti, Mitaj i sigurt në të majtë, ndërsa në të djathtë do të vazhdojë balotazhi Balliu-Hysaj.

Në mesfushë Ramadani, Laci dhe Asllani janë emra të besueshëm ndonëse mesfushori i Interit ka pak minuta në këmbë  me Interin pasi u kthye nga dëmtimi.

Bajrami, dhe Asani nga krahët mbeten garanci, ndërsa Muci duhet të jetë xholi i ndeshjes nisur nga forma e mirë që po kalon në Turqi.

Dilema më e madhe është maja e sulmit, ku Tuci është i vetmi sulmues shtartlartë që mund të përdoret përballë një ekipi fizik si Çekia, mirëpo Uzuni tek Granada është në super formë dhe vështirë se Sylvinho mund të privohet këtë herë nga kontributi i tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu