Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin me tritol të ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit në qendër të Shkodrës, pranë bashkisë së qytetit. Lënda plasëse dyshohet se është vendosur në banesën e shtetasit Metin Bushati, dhe sipas të dhënave paraprake nga hetimi, autori i dyshuar është larguar më pas me motor.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, dyshohet se personi ka vepruar i vetëm dhe ka qenë i maskuar në mënyrë të tillë që të ngjante me një picajol. Ai dyshohet se mbante një skafandër në kokë, ndërsa motori ishte përshtatur me elemente që ngjajnë me mjetet e përdorura për shpërndarjen e picave. Shpërthimi nuk shkaktoi persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin çifti Bushati, t dy me profesion mësues. Sipas burimeve, Bushati ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka dijeni për motivin apo autorët e ngjarjes. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota dhe për të përcaktuar objektivin e sulmit.
Një nga pistat e hetimit lidhet me vëllain e mësuesit, shtetasin Gëzim Bushati, i cili sipas burimeve prej vitesh jeton në Gjermani dhe dyshohet se ka ndryshuar emrin në Naser Bushati. Sipas të njëjtave burime, ai ka pasur probleme me drejtësinë në Gjermani dhe Rumani, ku dyshohet se ka vuajtur dënime me burgim.
Në katin e parë të banesës jeton Metin Bushati, ndërsa kati i dytë i përket vëllait të tij. Pikërisht për shkak të së kaluarës së tij dhe problemeve të mundshme që mund të ketë jashtë vendit, një nga pistat e policisë është se shpërthimi mund të ketë qenë një mesazh kërcënues i drejtuar ndaj Gëzim alias Naser Bushatit. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se autori mund të jetë një person i paguar, i cili është afruar pranë banesës, ka hedhur lëndën plasëse brenda oborrit dhe më pas është larguar me motor në drejtim të paditur. Deri më tani, autori i dyshuar nuk është identifikuar. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij. Shpërthimi, i regjistruar rreth orës 21:30, ishte i fuqishëm dhe u dëgjua në disa zona të Shkodrës, duke shkaktuar panik te banorët dhe turistët që ndodheshin pranë qendrës së qytetit. Në momentin e shpërthimit, vetëm pak metra më tutje, në sheshin përpara Bashkisë Shkodër, po zhvillohej një koncert me muzikë dhe aktivitete për fëmijë e familje. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe përcaktimin e motivit të vendosjes së lëndës plasëse.






