Familjet shqiptare janë shumë të brishta financiarisht, nëse vihen përpara një shpenzimi të papritur, siç mund të jetë një problem shëndetësor që kërkon një shumë të konsiderueshme parash.
Në një analizë të kryer nga Elona Dushku e departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë mbi brishtësinë financiare të familjeve, duke u bazuar në aftësinë e tyre për të përballuar një shpenzim të papritur, është dalë në konkluzionin që 60% e familjeve nuk kanë likuiditete për ‘surpriza’ të paplanifikuara financiare.
“Duke përdorur të dhënat e marra nga raundi i parë i Vrojtimit të Pasurisë së Familjeve në Shqipëri, është vlerësuar se 60% e familjeve në Shqipëri konsiderohen financiarisht të brishta, pra janë familje që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar një shpenzim të papritur, në masën e medianës së të ardhurave totale të familjeve”, thuhet në analizë.
Nëse bëjmë një përllogaritje me totalin e familjeve që ka Shqipëria sipas të dhëna e të CENS 2023, rezulton se mbi 453 mijë familjenga 755 mijë familje nuk janë të afta që të përballojnë një shpenzim të paplanifikuar, shëndetësor, arsimor, apo udhëtim ose ndonjë blerje me vlerë të lartë.
Analiza kërkimore e bërë bazohet tek mosha, gjinia dhe borxhi por edhe tek niveli arsimor i familjeve, ku është konstatuar se probabiliteti i familjeve për të qenë financiarisht të brishta lidhet negativisht me nivelin e arsimimit të personit referues. Gjithashtu rezultatet tregojnë se aksesi financiar dhe lidhjet familjare zvogëlojnë gjasat që familjet të jenë financiarisht të brishta.
FAMILJET SHQIPTARE
Totali i familjeve 755.950 familje
Të brishta financiarisht 453,570 familje
Të mira financiarisht 302,380 familje