Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë që shfaqen në video, konkretisht: inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.
Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.
Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur.
Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.
Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri.
Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit.






