Dy të rinjë, Martin Përvathi 29 vjeç dhe Amarildo Gjergji 30 vjeç janë arrestuar këtë të hënë në Lezhë.
Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Të rinjtë janë kapur teksa qarkullonin me automjet, në qytetin e Lezhës. Gjatë operacionit u sekuestruan qindra doza kanabisi gati për shitje, 1 armë gjahu, municion luftarak, 2 automjete, 6 celularë dhe shumë parash në lekë dhe euro.
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
M. P., 29 vjeç dhe A. Gj., 30 vjeç, banues në Lezhë, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, ndërkohë që qarkullonin me automjet, në qytetin e Lezhës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve procedurale janë ushtruar kontrolle në banesën e shtetasit M. P., ku u gjetën 323 doza kanabisi, dhe në banesën e shtetasit A. Gj., ku u gjetën 18 doza kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit P. P., 60 vjeç (babai i shtetasit M. P.) dhe A. Gj., 24 vjeçe (bashkëjetuesja e shtetasit A. Gj.).
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
A. Gj., 66 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi iu gjetën në banesë, një armë gjahu dhe municion luftarak, që i mbante pa leje;
D. F., 36 vjeç, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi iu gjetën në banesë, 5050 euro dhe 513 000 lekë të rinj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.