Pastërtia është një nga problematikat më të mëdha që ka vuajtur vitet e fundit një nga perlat e turizmit në Alpet e Shqipërisë, parku kombëtar i Thethit. E kur gjendemi në nisje të sezonit të verës, që shton edhe fluksin e turistëve, bashkia Shkodër që ka në administrim këtë njësi, ka vendosur shtimin e masave për të kapërcyer emergjencën që krijohet me mbetjet.
Gjetja e një mekanizmi për të mos u përsëritur problematikat e sezoneve të shkuara, ishte fokusi i diskutimit me pronarët e bujtinave dhe operatorët turistik. Zgjidhjet e propozuara ishin disa, nga shtimi i kazanëve, frekuenca e pastrimit, tarifa, e deri tek ndarja e mbetjeve në origjinë.
Për drejtuesit vendorë me rëndësi është që pastërtia të jetë kryefjalë e këtij sezoni, ashtu si edhe rritja e cilësisë së shërbimeve.
Alpet Shqiptare shënuan rekord vizitorësh në 2013-en dhe parashikimet janë për tejkalim të numrit të turistëve vendas dhe të huaj edhe këtë vit. Prenotimet kanë nisur që në prill dhe duket se edhe këtë vit Thethi do të jetë magjia e preferuar e aventurierëve të eksplorimit të maleve dhe natyrës së virgjër.