Në pritje të nisjes së kalimit me pagesë në tunelin e LLogarasë, i ndërtuar me paratë e shtetit, qeveria shqiptare ka menduar edhe për mënyrën se si do t’i operojë rrugët me pagesë në vend, të cilat nuk u janë dhënë kompanive koncensionare.
Vetë shteti do të menaxhojë pagesat në rrugët që do të jenë të tilla, dhe për këtë ka krijuar një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror. Pra, nuk do të ketë vetëm koncensione private në rrugët me pagesë, por vetë shteti do t’i menaxhojë këto para që më pas synojnë mirëmbajtjen infrastrukturore.
Kompania shtetërore e cila krijohet përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave të Miratuar këtë të mërkurë do të quhet Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, ose “EKORRsh.a”, me kapital fillestar 500 mijë euro, dhe detyrë kryesore do të jetë mirëmbajtja e infrastrukturës së operimit, e cila përfshin në kompleks të gjithë pikën e pagesës së taksës rrugore, nga portat e automatizuar deri tek sistemi elektronik apo serverat e nevojshëm për mbajtjen e përpunimin e të dhënave.
Në Shqipëri, deri tani vetëm një rrugë është me pagesë, Rruga e Kombit, e cila operohet përmes koncensionarit, ndërsa brenda pak kohësh nis edhe pagesa për autostradën Thumanë-Kashar, e cila po ashtu është me koncension.
Në bazë të vendimit të qeverisë, “EKORR sh.a”, ka gjithashtu për detyrë të kryejë monitorimin e shërbimit në rrugët me pagesë që ofrohen edhe nga koncesionarët. E gjithë logjistika e mirëmbajtjes, sistemet, etj, mund të bëhen nga kompania shtetërore vetëm nëse është parashikuar në kontratë. Pra, në vijim, nuk është e pamundur që koncensione të reja private të marrin një rrugë të caktuar për të vjelur paratë, por e gjithë logjistika apo ndërtimi do të bëhen nga kompania shtetërore.
Në vijim janë disa projekte rrugore që synohen të jenë me pagesë, përfshirë këtu Korridorin Blu, të ndarë në disa pjesë pagese, i cili nëse nuk do t’i jepet një koncensionari, bëhet nga vetë “EKORR sh.a”, me të gjitha detajet e ndërtimit të stacioneve të pagesave, sistemeve apo arkëtimit të parave, pasi fillimisht lidhet kontrata me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Të ardhurat e kompanisë në vijim do të jenë nga tarifa vjetore që përftohet nga shoqëritë koncesionare, nga arkëtimi i tarifës në rrugët me pagesë që vetë administron, etj.