Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale diskutoi sot në një seancë dëgjimore me Fatlum Nurja, ekspertin e projektit “Bashki të Forta” lidhur me problematikat që kanë sot qeverisjet vendore. Eksperti Nurja tha se këto dy mandate të qeverisë socialiste nuk janë të duhurit për të analizuar reformën territoriale.
“Decentralizimi nuk nis në zyrën e kryeministrisë dhe mbaron te zyra e kryetarit të bashkisë, jo! Duhet të shkojë përtej këtyre dy hallkave. Faji është i juaji, ju se keni monitoruar qeverisjen lokale. Parlamenti nuk heq dorë kurrë nga kontrolli. Nuk mund të flasim për numër pa patur një analizë të plotë financiare. S’mund ta bëjmë ndarjen territoriale për të dielën e votave apo të hënën e numërimit. Këtu e di që jam i keqkuptuar nga ju, pasi ju vlerësoni dhe votën. Nëse keni vullnet politik për të korigjuar balancën është në dorën tuaj, ka mundësi për tu korrigjuar por të rëndësishme janë monitorimet, planet, financat, burimet njerëzore. Të gjitha janë të lidhura me njëra tjetrën. Kanë nevojë për t’u riparë shumë gjëra. Monitorimi ka munguar, në mungesën e standarteve dhe shërbimeve. Ka bashki që mbledh tarifa pastrimi 170% të kostos, ekstrem tjetër. Kam shumë informacione që njësitë rurale e të thella s’kanë kapacitet të përballojnë shërbimet në përgjithësi jo më ato elektronike. S’më duket e lumtur situata te ato bashki të vogla në krahasim me bashkitë e mëdha. Nëse them se reforma ka probleme s’më duket e arsyeshme që qarku Gjirokastër me 68 mijë banorë të ketë 7 bashki. Ama këto që janë pak të lumtur se si ka kapur reforma s’më duket se i kanë shërbimet më të mira, s’më duket se i zgjedhuri po i qan hallet atyre”.
Eksperti nënvizoi se kryetarët e bashkive janë nën presion nga politika për hapjen e vendeve të punës.
“Kryetarët e bashkive s’janë demonët e mëdhenj, s’janë magjistarë, pa financa janë në presion të politikës për hapje vende pune. Ndërmarrjet e ujësjellësit nga 4 punonjës për 1 mijë lidhje shkojnë 6 punonjës për 1 mijë lidhje, normalisht do falimentojnë. Problemet nuk derivojnë vetëm nga reforma, reforma duhet riparë, jam dakort. Cfarë duhet të bëjmë. Lidershipi politik ta ketë të qartë që detyrat që i vijnë bashkive, shërbimet janë në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, detyra kërkon bashki nëse konfigurohen qe duhet të jenë njësi të zhvillimit ekonomik duhet të keni pikëpamje tjetër. Bashkia të kishte turizëm 12 muaj jo vetëm 3 muaj. E pranojmë që motori ekonomik në Shqipëri me këtë nivel kapacitetesh është turizmi, po spostohen qytetarë drejt ultësirës perëndimore, duhet të krijojmë njësi atje ku po boshatisen, kërkon një analizë shumë gjakftohtë e pa datë. Financat janë problemi kryesor, shërbimi me këtë nivel financiar se kryetarët e bashkive s’janë magjistarë, me këto financa është vendi më i vështirë, është pozicioni i punës sot për sot më i vështirë të jesh kryetar bashkie, përvec ndonjë agjende tjetër”, tha ai.