Met Hasaj është një prej shkodranëve që është rikthyer nga emigracioni në vendlindjen e tij, për të investuar në hapjen e një Akademie Futbolli për moshat e reja.

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale mesazhin e 33-vjeçarit që vendosi të linte Anglinë për t’u kthyer në Shkodër.

“I certifikuar nga UEFA si trajner, ai frymëzon të rinjtë shqiptarë të besojnë në ëndrrat e tyre dhe në potencialin që ka Shqipëria”, shprehet Rama.

Sipas Kryeministrit, i riu “pasionin e tij të fëmijërisë për sportin, e realizoi këtu në vendin e tij dhe jo në shtetet ku provoi të emigronte për një jetë më të mirë”.

“Sot i bindur në vendimin që ka marrë iu bën apel që të gjithë atyre që kanë emigruar të kthehen, duke investuar dijet dhe mundin e tyre në Shqipëri”, pohon Kryeministri.

Ndërkohë që 33-vjeçari ndan detaje nga historia e tij e emigrimit nga Londra në Milano të Italisë, ku ka punuar dhe jetuar për disa vite.

“Ka pesë vite që jam kthyer nga Anglia, më përpara kam jetuar për një kohë të shkurtër në Milano, Itali për pesë vite e gjysmë gati gjashtë. Në Londër, sikurse çdo shqiptar tjetër, tradita jonë na e kërkon që të jetojmë me nënën e babën, njerëzit afër, se ndryshe jeta nuk ka kuptim. Plus, vështirësitë që të jep emigracioni, ndoshta për çdo të ri që kryen studimet është e vështirë që të futet në jetën atje. Kushtet na e kanë bërë të mundur që të largohemi”, thotë ai.

Por, me kalimin e kohës, Hasa thotë se e kuptoi që jo çdo gjë në emigracion është si duket. Pasi vendosi të kthehet në vendlindje, 33-vjeçari kreu shkollën për trajner sporti në universitetin e Tetovës, ku edhe ka marrë licencat nga UEFA si trajner.

“Ndihem shumë mirë, sepse rezultatet që po marrim këtu janë shumë më mirë se sa e kisha menduar vetë. Në momentin kur jam kthyer nga Anglia, ka qenë një situatë e vështirë, Covid 19 dhe dukej e pamundur që do ja dilja të jetoja këtu. Me pak sakrificë, pak mund ja kemi arritur më së miri”, vijon Hasaj.

I riu e mbyll mesazhin e tij me një apel për të rinjtë që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar që të lënë vendin e tyre që të kthehen dhe të investojnë këtu.

“I bëj apel të të gjithë të rinjve që të kthehen në vendin e tyre, të investojë në vendin e vet në mënyrë që vendi jonë të bëhet më i mirë dhe më i jetueshëm. Vitet e fundit është në rrugën e duhur, nuk do zhgënjehen nëse do kthehen”, përfundon ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu