Ballina Aktualitet Qytetarja denoncon për mashtrim avokatin dhe kandidatin për në KLGJ, anëtarin e...

Qytetarja denoncon për mashtrim avokatin dhe kandidatin për në KLGJ, anëtarin e bordit të universitetit të Shkodrës!

Një qytetare, Iliriana Sirika, ka denoncuar avokatin Adrian Leka dhe kandidatin për anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, se e ka mashtruar në vitin 2017. Qytetarja ka nënshkruar një kontratë porosie me avokatin Leka për një apartament në Tiranë, në afërsi të Kthesës së Kamzës. Pasi e rregulloi dhe e restauroi, apartamentin ia mori një person tjetër, i cili i tha se e ka blerë.

Fiksi shkon edhe te noterja Anila Kaçupi ku është bërë kontrata në 2017, teksa noterja thotë se në atë kohë s’ishte ligji që kontratat e porosisë të regjistroheshin në Kadastër. Ajo thotë se paratë i ka marrë Adriani dhe ai ka nënshkruar një dokument që mban përgjegjësi nëse e ka shitur dy herë ..

Grupi i Fiks Fare shkon për ta takuar avokatin në Lezhë, por të afërmit e tij kërcënojnë gazetarin dhe operatorin. Madje, i kapin kamerën dhe i shtyjnë. Avokati, pedagog dhe kandidat për KLGJ, nuk pranon të japë shpjegime.

Historia fillon në vitin 2017, ku qytetarja Iliriana Sirika thotë se ka vlerë një apartament. “Ia kam blerë zotit Adrian leka. I kam paguar 22 mijë euro, me kontratë noteriale. Më tha se do të mbarojë për disa muaj dhe do t’më jepte certifikatën” thotë ajo. Apartamenti ndodhet në afërsi të Kthesës së Kamzës, në Tiranë. “Adrian Leka është me profesion avokat dhe pedagog. Kishte nxjerrë për shitjen apartamentin dhe ramë dakord. Unë nuk kam qenë vetë fizikisht këtu, por kam lënë prokurë te të afërmit e mi. Unë kam paguar në dorë 22 mijë euro, te noteri. Quhet Anila Kaçupi” pohon qytetarja.

Fiksi pyet noteren, e cila thotë se e njeh avokatin dhe ndaj ka shkuar te ajo për të bërë kontratat. “E di kush është ai (ndërtuesi), është vetë në burg. Në fakt ky (Adriani) është ai, në fakt ka ardhur te mua dhe ka bërë këtë prokurën” thotë ajo.

Qytetarja shton se ka kontaktuar disa herë me avokatin. “Më thotë mos ki merak, është e jotja, s’ta merr njeri dhe të tjerat janë në rregull. Ndërkohë që s’po bëhej gjë, erdha vetë. Jam takuar me Adrianin. Më tha është gjithçka në rregull, më dha çelësin te dera e madhe sepse shtëpia ishte e pa rregulluar dhe e pa suvatuar. I kam bërë të gjitha vetë” pohon ajo.

Pas kontratës, qytetarja ka ribërë nga e para të gjitha punimet e shtëpisë. Por, a kishte certifikatë pronësie?!

“Ai nuk kishte, sepse ishte pallat me probleme. Por do të merrej vetë avokati. Se do t’ma nxirrte ai. Unë shpenzova edhe njëherë aq sa e bleva apo më shumë. Sapo e mbaroj, më telefonon dikush dhe më thotë ke marrë apartamentin tim. S’mu prezantua dhe më vonë mora vesh se quhej Mariglen Bitri, s’jam takuar asnjëherë. Kam folur disa herë. Ai mori çfarë kishte për të marrë. S’kisha të drejta ti bija telefonit se më thoshte do të të denoncoj” shton më tej Iliriana.

Në gjithë këtë histori, kush e mori apartamentin? Qytetarja interesohet te firma që administron pallatin. Aty mëson se apartamenti është shitur disa herë. “Apartamentin e mori zotëria, pasi mbarova punimet. Ndërroi bravat. Tani ka njerëz Brenda me qira. Unë nxora fillimisht ujin dhe dritat. Unë sot nuk e gëzoj. Telefonata e fundit që kam bërë me atë i kam thënë se duhet të përgjigjesh. Më tha po më bezdis dhe më mbylli telefonin. Unë e di që kontrata te noteri është e rregullt” shton ajo.

Nga ana tjetër, noterja Anila Kaçupi shton se në zyrën e saj është bërë vetëm një kontratë shit-blerje. “Në 2019-ën filluan regjistrimet në Kadastër. (Ne bënim kontratat) duke besuar dhe duke u marrë një deklarim personal atyre që nuk është shitur asnjëherë. Ke një subjekt juridik që mban një përgjegjësi penale ndaj shtetit për deklarimet e veta dhe për shitje dyshe. Unë s’e di kush e ka fajin! Ata kanë bërë legalizim tani” thotë ajo.

Noterja hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke ia hedhur fajin sistemit. Tregoi se regjistrimi është bërë me legalizim, pa dhënë detaje të tjera! Por, çfarë lidhje ka pasur me avokat Adrian Leka?!

“Adrianin e njoh si profesor, s’kam ndonjë lidhje. Adriani ti gjejë lekët ku i ka marrë.
Ai i ka marrë, ato janë lekët” thotë ajo. Ndërkohë, qytetarja shton se ajo sot nuk ka një apartament. “S’kam të drejtë as ta kërkoj. I kam bërë një kallëzim penal në prokurori dhe asnjë përgjigje. E kanë zvarritur dhe më kanë thënë ka shumë dosje, kemi punë” shton Iliriana.

Po noteren, a e kanë thirrur si dëshmitare në prokurori?! Më pas ajo irritohet dhe i kërkon llogari grupit të Fiks Fare se përse e bëri këtë pyetje. “Pse do to t’më thërrasin mua o burrë. Noterja deklaron një marrëveshje mes palëve o burrë” shton ajo, ndërkohë që gazetarët i bëjnë me dije se nuk i thanë se e kanë marrë të pandehur dhe nën hetim. “O Zotëri, jo pra mos ma bëj këtë pyetje, se është pyetje se është pyetje e rëndë. Si t’më thërrasin? S’kam pse pra. Pse të më thërrasin mua, kur dëshira ka qenë e të dy palëve. Lekët i kanë kaluar dy palët” shton ajo.

Në fund, qytetarja ndihet tepër e zhgënjyer. “E doja një përgjigje prej Adrianit, se ma ka premtuar se është e jotja, mos u mërzit, shtëpia është e jotja” thotë Iliriana.

Pas këtyre përgjigjeve, grupi i Fiks Fare kontakton me avokatin, nëpërmjet një bashkëpunëtore. Adriani i lë takim në një godinë përballë Prefekturës në Lezhë. Vëllai i tij i tha bashkëpunëtores së Fiksit se vendi ishte zyra e avokatit.

Në momentin që grupi i xhirimit shkon dhe i prezantohet avokatit Adrian Leka, një person i afërm i tij i drejtohet operatorit se çfarë do dhe e shtyn. Ai thotë se grupi duhet të dalë jashtë se do i grijë. Fiksi i kërkon Adrianit që të dalë jashtë për ta pyetur. Ndërkohë i afërmi i tij vijon kërcënimet dhe më pas shtyn edhe gazetarin. Më tej u drejtohet se do t’u thyejë kamerën. Më pas thotë “të q… Zotin” dhe u drejtohet “ik mo m..”, në një kohë që grupi po e priste Adrianin në trotuar.

Pas gjithë kësaj situate, grupi i Fiks Fare i bën me dije avokatit problemin për të cilën ishte nisur në Lezhë. I bëjmë me dije se i ka shitur qytetares Ilirana Sirika një apartament të shitur edhe më parë. Përgjigjet se duhet t’i bëjmë një kërkesë me shkrim dhe largohet drejt mjetit, teksa grupi i Fiks Fare tenton që sërish ti marrë një përgjigje.

Ndërkohë, kur avokati po futej në makinë, në atë vend shkon i afërmi i tij dhe me një ton kërcënues i kërkon grupit të Fiks Fare që të largohet. Më pas, avokati ikën me makinë dhe nuk përgjigjet. Por, nuk mbarojnë këtu kërcënimet, pasi drejt grupit të Fiks Fare shkon një person tjetër, sërish i afërm dhe tenton të kapë kamerën. Me një ton kërcënues i kërkon shpjegime se përse shkuam te avokati Adrian Leka, duke iu drejtuar se “ka edhe mënyra të tjera”.

_____________

Sqarim: Ky lajm është marrë nga Top Channel dhe nuk është prodhim i newspower.al, që pasqyrohet për shkak të interesit publik që paraqet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks