Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka shpallur rezultatet paraprake të kandidatëve për shefa komisariatesh në Drejtoritë Vendore të Policisë, duke i renditur sipas vlerësimit me pikë. Ndërkohë në listë janë gjithsej 251 kryekomisar, Komisar dhe nënkomisar. I pari në renditje është kryekomisari Ilirjan Demaj me 82 pikë dhe në fund, me 42 pikë është nënkomisari Sefer Lukaj.
Njoftimi nga Policia e Shtetit:
Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin “Shef Komisariati”, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe intervistës së kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për këtë pozicion, shpalli listën e pikëve të fituara gjatë procesit të konkurrimit.
Gjatë fazës së aplikimit, shprehën interes 290 kandidatë, ndërkohë që gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit 16 prej tyre u skualifikuan pasi nuk plotësonin kriteret për të vijuar konkurrimin.
Gjatë fazës së intervistimit, janë tërhequr nga konkurrimi 23 aplikantë.
Nga 251 konkurrentë, 102 prej tyre kanë fituar më shumë se 70 pikë (dhe ne zbatim të rregullores u lind e drejta për tu emëruar).
Të gjithë konkurrentet kanë të drejtën e ankimimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave brenda 2 ditësh nga momenti i publikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit të vendimit, me vlerësimin përfundimtar të secilit.