Qeveria prezantoi programin ‘Rilindja Urbane 2.0’, një paketë e re ndërhyrjesh për zhvillimin e territorit dhe transformimin e qyteteve. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo tha se programi mbështetet mbi 11 objektiva strategjikë, me fokus tek infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe transporti urban.
Demo theksoi se një nga prioritetet do të jetë forcimi i identitetit lokal përmes ndërtimit të muzeve dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
“Janë 11 objektiva strategjikë do përshihen në këtë program të ri, duke filluar me forcimin e identitetit lokal që do fokusohet në ndërtimin e muzeve lokalë, duke marrë në konsideratë zhvillimin e turizmit, por edhe për të forcuar identitetin lokal”, theksoi Demo.Një tjetër pikë e programit ‘Rilindja 2.0’ lidhet me ndërtimin e parkimeve publike në 12 bashki të vendit. Ministri bëri të ditur se projekti parashikon 160 mijë metra katrorë sipërfaqe me potencial për 15 mijë vende parkimi, kryesisht në qytetet me fluks të lartë urban dhe turistik.
“Përmirësimi i funksioneve dhe aksesit në zonat urbane. Po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për të krijuar akses të qëndrueshëm, 160 mijë metër katrorë sipërfaqe në 12 bashki, kanë potencial në 15 mijë pose parkimi. Jemi fokusuar në bashkitë që kanë jo thjesht intensitet urban të theksuar, por edhe flukse turistik të konsideruar”, vijoi Demo.
Në fokus do të jetë edhe rigjenerimi i ish-zonave industriale. Sipas Demos, fabrikat dhe asetet e braktisura do t’i rikthehen komunitetit për ambiente sportive, rekreative dhe mbështetje për startup-et e reja.
“Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-hapësirave industriale në asete për komunitetin, janë ish-fabrika që janë privatizuar ose janë pjesërisht të privatizuara, ose janë në pronësi shtet. Janë potenciale që duhet ti rikthehen komunitetit. Në fokus do të jenë shërbime parësore që i vijnë në ndihmë komunitetit, me ambiente sportive apo zona rekreative, duke parë me imtësi edhe zhvillimin lokal të ekonomisë, duke u orientuar drejt start up-eve të reja që mund të përdorin këto asete”, u shpreh ministri.
Programi parashikon gjithashtu investime në infrastrukturën publike, apo nxitjen e inovacionit për tu dhënë mundësi të rinjve për tu përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal.
“Rritja e standardit të infrastrukturës publike duke harmonizuar arkitekturën lokale me atë çfarë qytetet ofrojnë dhe duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara. Fokusohemi tek objekte publike që kanë të bëjnë me sistemin parauniversitar. Duke punuar me arkitektë vendas dhe të huaj që do tu vijnë në ndihmë bashkive me projekte që sjellin vlerë të shtuar. Nxitja e inovacionit, për tu dhënë mundësi të rinjve për tu përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal. Është e domosdoshme të krijojmë hartë dinamike sa i përket start up”, tha Demo.
Një nga pikat kryesore është edhe transporti urban publik. Qeveria synon të pilotojë autobusët elektrikë në disa bashki, ndërsa projekti i parë pritet të nisë brenda tremujorit të fundit të vitit.
“Përmirësimi i mjedisit urban përmes mbulimit të plotë për menaxhimin e territorit. Po punojmë me bashkitë për sa i përket mbulimit 100% të territorit, por duke plotësuar standardet që do jenë detyruese si rrjedhojë e integrimit në be, duke nisur me riciklimin por jo vetëm”, vijoi Demo.
Një nga pikat kryesore është edhe transporti urban publik. Qeveria synon të pilotojë autobusët elektrikë në disa bashki, ndërsa projekti i parë pritet të nisë brenda tremujorit të fundit të vitit.
“Jemi duke trajtuar bashkitë që do jenë model e kësaj nisme. Transporti do jetë i bazuar në autobusë elektrikë, bashkia e parë që do të pilotohet do jetë brenda 3 mujorit të fundit të këtij viti. Qeveria do ju vijë në ndihmë bashkive për të kaluar barrierën e parë, sa i përket investimit për të krijuar kapacitetet për të ofruar këtë shërbim në standardet e duhura”, vijoi Demo.
Sa i përket mjedisit urban, ministri deklaroi se po punohet për mbulimin 100% të territorit me shërbime menaxhimi dhe riciklimi të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Programi “Rilindja Urbane 2.0” parashikon edhe krijimin e 140 hapësirave të reja rekreative, forcimin e kapaciteteve të bashkive për mirëmbajtjen e aseteve publike dhe zhvillimin e konceptit “Smart City” për menaxhimin inteligjent të qyteteve.






