Qytetarët janë mbledhur sërish në protestë ndërsa sot mbahet seanca e radhës plenare e Kuvendit. Për shkak të perimetrit të gjerë të sigurisë, nga Ministria e Brendshme te pedonalja dhe “Rruga e Elbasanit”, deputetët arritën të futen të qetë në Kuvend pa u përballur me sulme nga protestuesit. Këta të fundit tentuan të depërtojnë nga disa hyrje të ndryshme, por pa sukses, derisa u zhvendosën te rruga e Elbasanit pranë xhamisë së Namazgjasë. Aty policia i bllokoi te ura dhe nuk lejoi marshimin në drejtim të godinës së Kuvendit, çka solli edhe përplasje. Menjëherë disa protestues nisën sulmet me vezë e domate në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit. Madje disa prej tyre arritën të çajnë edhe kordonin e policisë duke bërë që të nisin shoqërimet.
Pesë të shoqëruar deri më tani nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë pranë Xhamisë së Namazgjasë. Mes të shoqëruarve është edhe njëri nga anëtarët e grupit organizator të protestës, Arben Kola. Kola është kapur nga 4 policë që e mbajnë nga krahët e këmbët, kurse Kola ka ende megafonin në dorë. Raportohet se protestuesit po sulmojnë gjithashtu edhe gazetarët.






