Ballina Politike “PD humbëse kronike dhe shpirti i shkatërrimit të politikës shqiptare”, Rama nga...

“PD humbëse kronike dhe shpirti i shkatërrimit të politikës shqiptare”, Rama nga Lezha: Vetëm PS mbron interesin kombëtar

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, vlerësoi rolin e themeluesve të kësaj force politike, duke theksuar se vendimi i tyre për ta shkëputur partinë nga e shkuara ishte një moment me rëndësi historike për Shqipërinë. Nga Lezha, Rama tha se PS ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimet politike të vendit gjatë tre dekadave e gjysmë.

 

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama: Së pari, shumë faleminderit për mikpritjen!

Së dyti, faleminderit edhe për durimin e qëndrimit në këmbë. Po këtu janë ndryshe rregullat se në të gjitha festat e tjera rrinë ulur, këtu “ju mban policia në këmbë”, dihet ajo punë dhe se ju mban në gjendje kështu alarmi të vazhdueshëm dhe faleminderit në radhë të parë, të gjithë atyre që në këtë grup që është natyrisht shumë më i vogël sesa Partia Socialiste e Lezhës apo e qarkut të Lezhës dhe që i përkasin gjeneratës së parë të Partisë Socialiste, i përkasin atij grupi njerëzish që me kurajo morën vendimin për ta shkëputur Partinë Socialiste dhe për të shkëputur familjen politike që sot është themeli i Partisë Socialiste nga e shkuara dhe për ta kthyer me sytë nga e ardhmja sepse çdo vit që kalon do ta nënvizojë më fort rolin e tyre në historinë e re politike të Shqipërisë. Rolin e tyre si një rol me një rëndësi vendimtare pasi 35 vjet janë pak për historinë, por janë shumë për të parë dhe për të kuptuar jo vetëm peshën, por edhe impaktin e jashtëzakonshëm që ka pasur Partia Socialiste në jetën e vendit dhe mbi të gjitha për të kuptuar vlerën e shtuar që Partia Socialiste ka sjellë duke ju qasur në një mënyrë të pa diskutueshme, të drejtë të interesit tonë kombëtar, duke i qasur në një mënyrë të padiskutueshme të drejtë të shkuarës, duke ju qasur në një mënyrë të padiskutueshme të drejtë shoqërisë dhe botës.

Duken si fjalë të zakonshme, në kuptimin që duket gjëja më e zakonshme dhe më normale që një forcë politike të ketë një qëndrim solid, të palëkundur dhe të kthjellet në raport me interesin kombëtar, por ja që nuk është kaq e zakonshme, se po të ishte kaq e zakonshme do të ishte karakteristikë e të gjitha forcave politike në Shqipëri, por kjo është karakteristikë e vetëm një force politike Partisë Socialiste, sepse vetëm Partia Socialiste qysh në krye të herës nuk ka lëvizur asnjëherë, asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar dhe për këtë ka plot shembuj që mund të merren, por shembulli më kuptimplotë e madje ulëritës në sensin negativ, është shembulli që dallon si ditën me natën Partinë Socialiste me kundërshtarët e saj politikë.

I dallon si dita me natën, sepse siç ka ndodhur në historinë e këtyre 35 viteve vazhdon të ndodhë dhe sot. Partia Socialiste gjendet përballë një fronti kundërshtarësh që nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të saj. Nuk kanë lënë gjë pa thënë në krye të herës, nuk lënë gjë pa thënë sot dhe nuk do të lënë gjë pa thënë deri kur do të jenë ata që janë humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare. Ata e sulmuan brutalisht Partinë Socialiste si parti e lidhur me Serbinë, si parti shërbëtore e Beogradit, por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër që pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë Partinë Socialiste, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik.

Ndërkohë që Partia Socialiste qysh në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së paimagjinueshme të vitit 1997 u bë mbështetja më e fortë, mbështetja më e palëkundur dhe mbështetja e përhershme deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çlirimtarët e Kosovës trajtoheshin si terroristë dhe përndiqeshin në Tiranë nga ata që sulmonin Partinë Socialiste si e shitur tek Beogradi. Ndërkohë që po të njëjtët gjetën në Tiranë mbështetjen më të madhe jo vetëm morale, por të gjithanshme për ta çuar përpara kauzën e tyre, për ta çuar përpara betejën e tyre dhe për ta fituar në fund së bashku me aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve.

Po kështu duket e zakonshme që një forcë politike të ketë një marrëdhënie të drejtë me të shkuarën, por ja që e vërteta foli ndryshe përsëri. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që jo vetëm u krijua si një shëmbëlltyrë e vendosmërisë dhe kurajos së një grupi njerëzish për të ndarë të shkuarën me të ardhmen dhe për ta kthyer drejtimin nga e ardhmja dhe mbeti e vetmja forcë që diti të ruaj me të shkuarën një marrëdhënie dinjiteti kombëtar dhe një marrëdhënie vërtetësie historik, sepse u bë njëkohësisht edhe forca që kurrë nuk lejohej që të përdhosej Lufta Nacional Çlirimtare nga të gjithë së bashku, por ia la turpin atyre që e patën dhe që e kanë duke ju kundërvendosur Luftës Nacional Çlirimtare dhe duke e shfrytëzuar atë luftë si burimin e një përçarjeje më të thellë në ditët tona, duke e sjellë të gjithë mosdakordësinë historike të luftës në ditët tona dhe duke e kthyer Shqipërinë në një vend të përçarë në komunist e antikomunist, në shërbëtor të Beogradit e në shërbëtor të Shqipërisë e të tjera e të tjera e të tjera që faktikisht i kushtuan shumë shtrenjtë këtij vendi. Një përçarje që shkoi deri në fshatin më të largët, ku edhe fqinjët filluan të mos i flasin më njëri-tjetrit në emër të partive. Këtë përçarje e mbollën dhe ushqejnë dhe sot e gjithë ditën ata që Partia Socialiste i ka pasur gjithmonë përballë, sot në fakt i kemi mbrapa edhe ne përpara kemi vetëm objektivin historik, majën ku do të vendosim flamurin e Gjergj Kastriotit edhe të Ismail Qemalit në oborrin e shtëpisë europiane.

Duket e zakonshme edhe që një forcë politike të ketë një raport të drejtë me shoqërinë, por ja që nuk është e zakonshme, se po të ishte e zakonshme do e kishin të gjithë forcat politike, është një raport i drejtë që e ka pasur dhe e ka të qartë vetëm Partia Socialiste. Ne nuk i ndajmë njerëzit, nuk i kemi ndarë kurrë në tanët dhe të atyre. Pavarësisht se edhe në Partinë Socialiste jo të gjithë janë të lumtur kur shikojnë se si dyert hapen edhe për ata që vijnë nga rrugë të tjera të jetës politike, prapë se prapë ata ndjehen në shtëpinë e tyre kur vijnë në shtëpinë tonë dhe bëhen pjesë e jona dhe të gjithë së bashku çojmë përpara projektin e transformimit të Shqipërisë.

Ndërkohë që, kjo nuk ndodh dhe nuk ka si të ndodhi në anën tjetër ku njerëzit janë trajtuar si armiq, janë trajtuar si armiq socialistët që e përfaqësuan ne fillimet e veta Partinë Socialiste. Nuk kishin asnjë mundësi të kishin kushte të barabarta konkurrence. Kishte vetëm një ekran, ekrani bardhë e zi i Radio Televizionit Shtetëror ku gëlonte propaganda kundër Partisë Socialiste dhe ku edhe kur një përfaqësim Partisë socialiste dilte në lajme, nuk dilte me zërin e vet, por figura mbulohej me komente denigruese për Partinë Socialiste, me komente denigruese për opozitën e asaj kohe, për opozitën e asaj kohe që kryetarin e pati në burg për një kohë të gjatë, të futur në burg me dhunën e një drejtësie politike, të asaj kohe kur Partia Socialiste nuk arriti dot të nxjerri rezultatin e zgjedhjeve pluraliste, sepse zgjedhjet nuk ishin pluraliste.

Zgjedhjet ishin zgjedhje të kontrolluara me shkop gome dhe me shkop gome u rrahën dhe u masakruan përfaqësuesit e partisë tonë, gjë që sot është e paimagjinueshme për gjithë të rejat dhe të rinjtë që janë këtu. Po është e paimagjinueshme jo sepse e solli koha siç thonë disa, por sepse Partia Socialiste qysh në krye të herës dhe sot e gjithë ditën është një forcë politike që ka mishëruar qytetarinë europiane dhe jo hakmarrjen primitive.

Është një forcë politike që ka mishëruar vullnetin për të ndërtuar dhe jo instinktin për të shkatërruar.

Është një forcë politike që ka qenë gjithmonë zëdhënëse e pajtimit, e afrimit, e bashkëpunimit dhe jo e përçarjes, e ndarjes dhe e hakmarrjes dhe faktikisht nuk ka shembull më kuptimplotë sesa mënyra se si u soll Partia Socialiste kur erdhi në qeveri dhe si erdhi ne qeveri? Erdhi qeveri mbi gërmadhat e një Shqipërie të shkatërruar totalisht. Totalisht, pasi u kthye në një vend piramidash nën rrënojat e të cilave u varrosën të gjitha kursimet e shqiptarëve dhe erdhi në qeveri në ditën kur kryetari i vet doli nga burgu dhe nuk thirri kurrë për hakmarrje.

Nuk përdori kurrë pushtetin e partisë socialiste për te paguar mbrapsht me të njëjtën monedhë atë dhe ata që e futen në burg, por përkundrazi. E pavarësisht se socialistet shpesh herë me të drejtë kanë pasur edhe revoltë për faktin që ata të cilët duhet të ishin përpara drejtësisë vazhduan të jenë në kurriz të Shqipërisë. Ne kurrë nuk e kemi kërkuar drejtësinë tek e drejta që kemi me vete, por e kemi kërkuar tek rruga e ndërtimit të një Shqipërie europiane, demokratike e cila nuk mund të jetë e tillë nëse drejtësia nuk është e pavarur dhe nëse pushteti politik nuk ndahet nga pushteti i drejtësisë dhe reforma në drejtësi është kulmi i të gjithë shembujve që e dallojnë Partinë Socialiste nga të gjithë të tjerët që flasin për drejtësi, mbajnë leksione për drejtësi, na sulmojnë ne në emër të drejtësisë, por që po të ishte për ta Shqipëria do ishte edhe sot e gjithë ditën siç ka qenë që nga 1912, pa asnjë mundësi për të parë barazi para ligjit për të gjithë dhe pa asnjë mundësi për të parë një njeri të pushtetshëm e lëre pastaj një njeri të lidhur me pushtetin politik përpara një prokurori të pavarur dhe një gjykate të pavarur. Ndërkohë këto ndodhin sot jo sepse ne jemi të korruptuar apo më të korruptuar, por sepse e para, ne jemi të vendosur ta luftojmë korrupsionin dhe e dyta në këtë luftë ne jemi kaq të vendosur saqë jemi shumë të gatshëm te marrim përsipër edhe koston e këtij revolucioni që kemi bërë, duke ja lënë shpatën e drejtësisë, njerëzve të drejtësisë, të cilët s’kanë asnjë frikë më dhe s’kanë asnjë lidhje me ne.

Ju duket njerëzit sikur kjo është diçka që erdhi nga qielli dhe sikur kjo është diçka që është e zakonshme. Po të ishte e zakonshme, do kishte ndodhur përpara dhe pikërisht pse kjo nuk është e zakonshme, Shqipëria ka nevojë për udhëheqjen e Partisë Socialiste. Shqipëria ka nevojë për shumicën e Partisë Socialiste. Shqipëria ka nevojë për socialistët në krye pavarësisht të gjitha të metave dhe të gabimeve tona.

Ne kemi ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime pa diskutim. Nuk jemi të rënë nga qielli, por ama e përsëris, kur vjen puna tek pamja e madhe është një pamje që flet vetë për ne. Flet vetë raporti me interesin kombëtar, flet vetë raporti me historinë, flet vetë raporti me shoqërinë, flet edhe raporti me botën, sepse ishte Partia Socialiste dhe është Partia Socialiste në qeveri sot që ja ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo ku është dhe që e ka bërë Shqipërinë nga delen e zezë që nuk e përfillte askush një dekadë më parë në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike.

Kështu që ndihuni krenar për këtë parti. Ndjehuni krenar për këtë familje të madhe, ndjehuni krenar për gjithçka keni mundur t’i jepni kësaj partie, sepse në fund të ditës sado i vogël qoftë është pikërisht kontributi i çdo individi që bën kontributin e madh dhe kontributi ynë është i madh sepse ne jemi shumë individë. Ne jemi shumë individë sepse ne përfaqësojmë Shqipërinë e qytetëruar jo në sensin e qytetarëve që jetojnë në qytet dhe qytetarëve që jetojnë në fshat se kur të ishte me këtë logjikë unë do hyja te katundaret jo tek të qytetëruarit, por të qytetëruar ne mënyrën se si kuptojmë pikërisht ato gjëra për të cilat thashë. Sepse socialistet, progresistët, ata te cilët nuk ju bashkuan dhunës, ata të cilët nuk bashkuan djegieve të vendit, ata te cilët nuk ju bashkuan idesë së piramidave, ata të cilët nuk iu bashkuan shkatërrimeve dhe të cilët nuk mishëruan asnjëherë një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka qe është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje.

Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm ne nuk ja kemi kthyer asnjëherë kusurin atyre të tjerëve siç thashë me të njëjtat mjete, jo vetëm nuk kemi kërkuar asnjëherë rrugët e hakmarrjes duke shfrytëzuar pushtetin, por edhe kemi pranuar sipas nivelit, sa më lart aq më shumë, baltën qe na ka sjellë çdo ditë furtuna që është ngritur kundër nesh, baltë ndaj nesh personalisht, baltë ndaj familjes tonë, baltë ndaj fëmijëve tanë, baltë ndaj afërmve tanë. Po keni parë ndonjëherë që nga unë edhe të tjerët me radhë, qe t’i kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Kurrë, asnjëherë! Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen time, për njerëzit e mi, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time. Po kurrë s’keni dëgjuar e s’do dëgjoni që unë të flas për familjen e tij dhe të tyre e për të vdekurit e shtëpive të tyre, sepse kjo nuk është europiane, sepse kjo nuk është qytetare, sepse kjo nuk është njerëzore dhe është në fund fare, fare, fare njerëzillëku që ndan qartë Partinë Socialiste me forcat e tjera politike dhe është njerëzillëku që shqiptarët e ndjejnë më shumë dhe më kollaj se çdo gjë tjetër përtej të gjitha problemeve, shifrave, të dhënave etj, që i sjell ata gjithmonë e më shumë pranë Partisë Socialiste dhe është njerëzillëku që na bën ne ndërtues dhe jo shkatërrues. Është njerëzilleku që na bën ne të vetëdijshëm edhe për gabimet tona dhe jo me kokën përpjete dhe është njerëzillëku që na bën ne gjithmonë alternativën më të mirë të shqiptarëve. Jo se shqiptarët janë të lumtur me ne, as se shqiptarët nuk i dinë dhe nuk i ndjejnë edhe pasojat e gabimeve tona, por sepse në fund të ditës shqiptarët janë kritik ndaj nesh, sepse e dinë që ka gjithmonë e mire për sa kohë ne jemi në krye të detyrës.

Ju falënderoj shumë edhe një herë. Ju mbajta gjatë, më gjatë sesa çfarë mendoja, por një gjë jua kërkoj shumë sinqerisht. Nëse u lodhët duke ndenjur në këmbë, nuk e kam unë fajin. Po patët kurajë “faturojani policisë”. Po s’patët kurajë, merreni si një stërvitje të ditës së shtunë, sepse siç thotë “policia”, ushtria e Partisë Socialiste duhet të jetë gjithmonë në këmbë. Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks