Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot thellësisht e tronditur nga ngjarja e dhimbshme në Shkodër.
Thellësisht e tronditur dhe pafundsisht e trishtuar për humbjen e katër jetëve të pafajshme në ujërat e Bunës.
Tre ëngjëjt dhe nëna e tyre kanë humbur jetën në mënyrën më makabre.
Dyshimet janë se dhuna e bashkëshortit dhe babait të familjes i ka çuar drejt vdekjes.
Fenomeni i tmerrshëm i dhunës ndaj grave që plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Lufta ndaj kësaj dhune që merr dhe sakaton jetë grash dhe fëmijësh, duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare. Duhet të zgjohemi të gjithë si njerëz, si shoqëri e si shtet.
Të çohemi të gjithë kundër këtij fenomeni primitiv, sepse secila jetë është e çmuar dhe nuk mund t’i dorëzohet dhunës së verbër.
Organet ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë vigjilentë dhe të pamëshirshëm ndaj çdo sinjali, informacioni, denoncimi apo gjykimi për raste të tilla.
Drita e diellit nuk duhet të jetë privilegj për ata që dritën e jetës ua heqin çdo ditë viktimave të tyre.
Sistemi ynë arsimor, media, politika, të gjithë duhet të bejnë më shumë për të ruajtur dhe lartësuar dinjitetin e grave, dhe jo të lejojnë të trajtohen lehtësisht si njerëz të dorës së dytë me gjuhë diskriminuese e seksiste, që brymos patriarkalizmin e sëmurë që ushqen dhunën.
U prehshin në paqe katër shpirtrat e pafajshëm🙏