“Mynxyra”
Përse vallë duhet të hedhim sytë nga Portugalia, Maldivet, Franca apo nga skajet e tjera të botës? Përse ky zakon i vjetër për të kërkuar ngushëllim te krahasimet, kur pasqyra më e saktë gjendet përpara fytyrës sonë? Mjafton të soditim me qetësi atë që kemi bërë vetë gjatë këtyre trembëdhjetë vjetëve. Mjafton të shikojmë frytin e politikave tona, të duartrokitura, të lëvduara e të shpallura si mrekulli kombëtare. Ja ku është modeli ynë i turizmit. Një model i përkëdhelur nga qeveria, i stolisur me fjalë të mëdha dhe i paraqitur si kurora e zhvillimit shqiptar. Shikojeni mirë. A është ky vendi që dëshirojmë t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë? A është kjo Shqipëria që ju premtuam atyre që na mbështetën dikur? Le të mos lodhemi duke kërkuar fajtorë. Këtë Mënxyrë nuk na e bënë as grekët, as serbët apo osmanët. Nuk na e sollën rusët, iranianët e Akshit apo komplotistët e natës dhe armiqtë e trilluar të ditës. Këtë vepër e kryem vetë, me një zell që do t’i bënte xhelozë edhe pushtuesit më të këqij. Ky është monumenti më i sinqertë i modelit tonë të turizmit, një vend që po sakrifikon bukurinë e vet për hir të betonit. Prandaj të rinjtë nuk besojnë më. Jo se u mungon dashuria për Atdheun, por sepse u mungojnë arsyet për t’u besuar atyre që, duke folur në emër të Shqipërisë, shpesh kanë vepruar kundër saj. Dhe kur besimi humbet, fjalët, sado të zhurmshme, mbeten vetëm jehonë./ Auron Tare






