Një grup kriminal i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri është shkatërruar pas 9 muajsh hetime mes autoriteteve shqiptare dhe atyre në Kosovë. Prokuroria e Tiranës bën me dije se janë lëshuar 14 urdhës-arreste nga Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimet kanë nisur në muajin shkurt të këtij viti, u pas informacioneve të grumbulluara ne rrugë operative nga ana e Seksionit Për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë për dyshimin se shtetesi V.O. në bashkëpunim me persona të tjera, shtetas Shqiptarë dhe Kosovarë, kryejnë aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të amrëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të Shqipërisë si dhe trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti. Në vijim të hetimeve, më datë 10.12.2024 rreth orës 21:00 dhe në vijim Policia e Kosovës në funksion të procedimit të përbashkët ka zhvilluar operacione policore ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK. Ndërkohë që gjatë këtyre operacioneve u ndaluan/arrestuan 8 persona. Konkretisht shtetasit V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A. Në koordimin me Policinë e Kosovës menjeherë rreth orës 03.00 e në vijim të datës 11.12.2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkepunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkepunim të 6 personave:

E.M 20-vjeç

E.P. 34-vjeç

A.M. 28 vjeç

G.Ll 22 vjeç

K.M. 26-vjeç; dhe

T.Sh., 53-vjeç

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.

Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, gjatë konferencës së përbashkët me homologët e Kosovës, për operacionin e koduar “Çmontimi”.

Unë jam Elton Alushi, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Jemi mbledhur sot në Morinë, për të prezantuar rezultatet e një operacioni të përbashkët policor, që dëshmon fuqinë e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës. Operacioni i koduar “Çmontimi” është një shembull i shkëlqyer i punës së koordinuar dhe i përkushtimit të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Zgjodhëm Morinën për këtë konferencë, duke simbolizuar se ndërsa kufijtë janë hapur për qytetarët, për krimin janë ngritur barriera të forta dfhe të pakalueshme.

Operacioni “Çmontimi” i mbështetur nga agjencitë ndërkombëtare si EUROPOL dhe EUROJUST u realizua nga skuadrat e përbashkëta hetimore operacionale që kombinojnë burime dhe ekspertizë të të dyja vendeve për të adresuar kërcënimet e përbashkëta.

Ky bashkëpunim i bazuar në besim, përkushtim dhe profesionalizëm ka sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme në luftën kundër trafikimit të armëve dhe narkotikëve. Hetimet për finalizimin e dy fazave të këtij operacioni nisën në shkurt të vitit 2024, në Tiranë, pas informacioneve informative të grumbulluara nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, për dyshimin se shtetasi V. O., në bashkëpunim me persona të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, ishin të përfshirë në trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, dhe të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, nga Shqipëria në Kosovë.

Në bazë të referimit të bërë nga Policia e Tiranës, Prokuroria regjistroi procedimin penal për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Në muajin maj 2024, në kuadër të këtij procedimi, u sekuestruan 10 armë zjarri dhe u vunë në pranga 4 shtetas, në Tiranë.

Për të thelluar hetimet dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale, në qershor 2024, u ngrit një ekip i përbashkët hetimor me homologët e Kosovës, i mbështetuar nga EUROPOL DHE EUROJUST. Ky ekip realizoi operacione të përbashkëta dhe shkëmbime informacioni që çuan në goditjen e plotë të grupit kriminal.

Në total, gjatë hetimeve janë sekuestruar 64 armë zjarri dhe municione luftarake, ku 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 41 armë janë sekuestruar në Kosovë. Janë ndaluar gjithsej 10 shtetas, 6 prej të cilëve më datë 11.12.2024, iu është ekzekutuar masa e ndalimit me urdhër të prokurorit, konkretisht shtetasit:

E. M., 20 vjeç, i arrestuar disa ditë më parë me 1 kg kokainë, i cili rezultoi gjithashtu i amplikuar në trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri;
E. P., 34 vjeç, A. M., 28 vjeç, G. Ll., 22 vjeç, K. M., 26 vjeç dhe T. Sh., 53 vjeç.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi H. N. dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë hetimeve është provuar se grupi kriminal vepronte në mënyrë të organizuar për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike, mes dy vendeve tona.

Ky procedim ka çuar në goditjen përfundimtare të këtij rrjeti dhe ka parandaluar përdorimin e armëve për aktivitete të tjera të rënda kriminale, duke kontribuuar në rritjen e sigurisë publike.

Për finalizimin me sukses të këtij operacioni gjej rastin të falënderoj kolegët tanë nga Kosova, për bashkëpunimin dhe profesionalizimin, Prokurorinë e Tiranës, dhe agjencitë ndërkombëtare si EUROPOL dhe nga Projekti EUROJUST, për mbështetjen e dhënë.

Ky model bashkëpunimi i dakordësuar dhe gjatë takimit të përbashkët mes dy Drejtorëve të Përgjithshëm Drejtues Madhor Ilir Proda dhe Kolonel Gazmend Hoxha, ka prodhuar rezultate konkrete në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe do të shtrihet në fusha të tjera me interes të përbashkët

Në përfundim, falënderoj dhe përfaqësues të medias në Shqipëri dhe në Kosovë, për angazhimin tuaj në informimin e publikut, dhe ju uroj punë të mbarë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu