Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në gusht të vitit 2020 në Mal të Zi, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja URA, janë pajtuar që Miograd Lekiç të mandatohet për të formuar Qeverinë e re.

Megjithatë, ky propozim nuk ka mbledhur 41 nënshkrime, aq sa kanë deputetë këto parti në Parlamentin e Malit të Zi, i cili ka 81 ulëse për deputetë.

Marrëveshja për mandatarin e ri u arrit para se të skadonte afati për një gjë të tillë, në mesnatën e 19 shtatorit, kur presidenti i shtetit Milo Gjukanoviç duhet të propozojë mandatarin për krijimin e Qeverisë, në bazë të propozimit të mbështetur me nënshkrimet e të paktën 41 deputetëve.

Lideri i Frontit Demokratik, Andria Mandiç, ishte i pari që njoftoi se është arritur pajtim për formimin e Qeverisë së re dhe për mbështetjen për Lekiçin.

“Sot, të gjithë e mbështetën atë dhe të gjithë u pajtuan që ta njoftojmë presidentin e Malit të Zi që t’i japë mandatin Lekiçit”, tha Mandiç pas takimit.

Pas këtij takimi, deputeti Dragan Kërpoviç tha se ende nuk ka nënshkrime të mjaftueshme që Lekiq të propozohet për mandatar, por shtoi se ekziston “mbështetja verbale”.

Zyrtarët e Lëvizjes URA nuk kanë dhënë nënshkrimet që Lekiq të bëhet mandatar për kryeministër.

“Udhëheqja e URA-s nuk ka dhënë pëlqimin që deputetët e kësaj partie të nënshkruajnë ndonjë dokument apo marrëveshje që nuk nënkupton një marrëveshje të plotë, duke vlerësuar parimin e shprehur më parë të të gjitha palëve se për asgjë nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje për gjithçka”, thanë nga kjo parti përmes një deklarate të lëshuar pas takimit.

Në dy javët e fundit, gjatë tetë takimeve, përfaqësuesit e Frontit Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja URA kanë negociuar për ripërtëritjen e aleancës dhe marrjen e pushtetit ekzekutiv.

Por, problem në këto negociata ka qenë ndarja e ministrive të Qeverisë së re.
Në rast se Gjukanoviçit nuk i paraqitet propozimi për mandatar, ai ka dy mundësi: të emërojë një mandatar, i cili për 90 ditë duhet të formojë Qeverinë, ose të kërkojë shkurtimin e mandatit të Kuvendit.

Lidhur me shkurtimin e mandatit të Kuvendit vendosin deputetët, me të paktën 41 vota. Nëse Kuvendi shpërndahet, një ditë më pas, presidenti i shtetit i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Në prag të mbledhjes së fundit të “shumicës së vjetër”, nga Fronti Demokratik u njoftua se pranojnë ofertën e URA-s që gjysma e anëtarëve të zgjidhen nga ajo parti, ndërkaq që Lekiç e ka “votën e artë” kur të merren vendimet.

Paraprakisht, më 15 shtator, kryeministri me mandat teknik dhe presidenti i URA-s, Dritan Abazoviç, tha se nuk do të nënshkruajë propozimin që Lekiç të jetë mandatar.

Në fund të javës së kaluar, presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, përfundoi konsultimet për mandatarin për formimin e Qeverisë së re, të cilave konsultime nuk iu përgjigjën Fronti Demokratik, Demokratët, URA dhe Partia Popullore Socialiste (SNP).

Pas konsultimeve, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e udhëhequr nga Gjukanoviç, theksoi se zgjedhjet parlamentare janë mënyra më e mirë për të dalë nga kriza dhe se “edhe një eksperiment tjetër do të ishte fatal për interesat e shtetit”.

Qeverisë pakicë të Dritan Abazoviçit iu votua mosbesimi në Parlament më 20 gusht, pas 113 ditësh qeverisjeje.

Shkak ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore nga Abazoviçi me Kishën Ortodokse Serbe, më 3 gusht, gjë që u bë pa diskutim publik apo vlerësim profesional.

Nga ana e shumicës qeverisëse, DPS dhe SDP, më pas u dha njoftimi se kontrata në formën e saj aktuale është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet dhe në kundërshtim me karakterin laik të shtetit.

Qeveria e Abazoviçit u formua pas rënies së Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, më 4 shkurt, mandati i të cilit zgjati rreth një vit e gjysmë.

Ekzekutivi u formua nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe URA, të cilët së bashku fituan shumicën në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu