Një vit më parë, Shkodra dhe Shqipëria do të humbte një prej kolosëve të skenës, mjeshtrin e madh Zef Deda, i cili mbylli sytë në moshën 73 vjecare. “Në kujtim të Zef Dedës”, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, që ndanë një jetë në skenë dhe jo vetëm, u mblodhën në shtëpinë artistike të tyre, teatrin “Migjeni”, për ta përkujtuar artistin që i dha aq shumë role, karaktere, batuta e të qeshura pa fund artëdashësve. Sepse i tillë ishte Zef Deda, artist në skenë dhe në jetën e përditshme. E sot në mungesë të tij, djali Julian Deda do që të gjithë ta kujtojnë Zefin, ashtu të qeshur e miqësor me të gjithë.
Për miqtë e tij që kaluan një jetë krah Zefit, duke luajtur shfaqje të panumërta brenda e jashtë vendit, sot mungesa është e madhe. Sepse një artist i tillë, lë gjithmonë një vend të pazëvëndësueshëm.
Artisti shumëdimensional i cili spikati me rolet e tij në teatër dhe kinematografi, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë, i kushtoi mbi 40 vite të jetës, teatrit Migjeni të Shkodrës. E nisi në moshë të vogël dhe deri kur mbylli sytë, Zef Deda dhuroi pa fund role artistike që janë ngulitur në kujtesën e spektatorit, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.