Qeveria ka rishtyrë edhe me tre vite, deri në 31 dhjetor të vitit 2024, afatin e vlerësimit të dosjeve të pronarëve që janë në pritje të kompensimit.
Në projektligjin e paraqitur në parlament, duke u bazuar edhe në kërkesat e gjykatës së të drejtave të njeriut, nënvizohet se agjencia e trajtimit të pronave duhet të ketë mjetet e duhura për të përfunduar vlerësimin e rreth 7 mijë dosjeve që janë në pritje prej vitesh.
Nga ana tjetër drafti parashikon edhe ndryshimin e skemës së vlerësimit të pasurive dhe formën më të preferuar të kompensimit.
Së pari qëndron ende në fuqi neni që përcakton se çmimi i tokës së ish pronarit do të jetë zëri kadastral në momentin e sekuestrimit nga regjimi komunist duke I shtuar dhe indeksin sipas normës së interesit të bankës së Shqipërisë.
Kështu pavarësisht se sot toka është truall, nëse në momentin që është marrë nga shteti ka qenë bujqësore, livadh apo pyll vlerësimi do të jetë duke u mbështetur te këto përcaktime të fundit.
E për këtë ATP do të bëjë shumëzimin e metrave katrorë me vlerën e hartës së çmimeve për çdo zonë.
Për më tej nëse një subjekt ka përfituar kompensim nga një prej formave të tjera shuma do të zbritet, por këtë radhë vlerësimi do të jetë sipas çmimit aktual të tokës së marrë.
Në çdo rast nëse kompensimi ka qenë më I lartë nga sa subjekti përfiton aktualisht, shteti do ti japë mundësinë të marrë 10 për qind të shumës për sipërfaqen e pretenduar. Madje për këtë janë paraqitur edhe tre skenarë të ndryshëm
Sa i përket formës që do ti jepet ish pronarit, qeveria parashikon se së pari do të jetë kompensimi fizik e më tej format e tjera duke përfunduar me atë monetar.
Tashmë drafti I qeverisë do të kërkohet të votohet në parlament e më tej për tu bërë i zbatueshëm.