Kryeministri Edi Rama, gjatë mbrëmjes ceremoniale të dedikuar sportistëve shqiptarë që kanë shkëlqyer në arenën ndërkombëtare për vitin 2024, ‘Yjet e Sportit’, ka theksuar angazhimin e qeverisë për të vazhduar mbështetjen ndaj sportit.

Rama u shpreh se rezultatet e arritura këtë vit janë inkurajuese dhe parashikojnë një të ardhme edhe më të suksesshme për sportin shqiptar.

“Kam parë bilancet e rezultateve dhe shumë kampionë në mosha të reja, çka premton për më shumë kampionë në vitet në vijim. Kjo, megjithatë, është një sfidë për buxhetin, pasi kemi marrë përsipër mbështetjen për kampionët,” deklaroi ai.

Kryeministri bëri gjithashtu një thirrje për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, dhe Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar shtimin e disiplinave sportive në shkolla.

“Shtimi i disiplinave sportive do të forcojë jo vetëm edukimin, por edhe ndikimin pozitiv të sportit në jetën e të rinjve,” nënvizoi Rama.

“Dua t’ju siguroj që këtë mbështetje të veçantë që ne i kemi kushtuar sportit, duke sjellë në rritje kontributin financiar, do ta rrisim më tutje. Kam parë bilancet e rezultateve dhe shumë kampionë në mosha më të reja, çka premton për më shumë kampionë në vitet në vijim, që është një hall më vete për buxhetin, sepse kemi marrë përsipër mbështetje për kampionet.

Por të jeni të sigurt që do të qëndrojmë me dinjitet në këmbë dhe do ti përgjigjemi të gjithë angazhimeve të marra. Ndërkohë do ti bëja thirrje Fidel Yllit që në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit të shtojë disiplinat në shkolla.

Nuk kanë kosto të mëdha, nuk janë po aq kërkuese, por janë të dosidoshme. Të kemi sa më parë në shkolla, shahun, mundjen, peshëngritjen, të gjitha disiplinat. Do të shtojnë vlerën edukative dhe vlerën e sportit në jetën e të rinjve. Do ta mbështesim KOKSH me të gjitha forcat tona”, u shpreh Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu