Një sasi e dyshuar lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në fshatin Balldren i Vjetër, në Lezhë. Sipas informacioneve paraprake të policisë, shpërthimi ka ndodhur në një terren të hapur, në një zonë ku ndodhen grumbuj gurësh. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk janë shkaktuar dëme në njerëz apo dëme materiale. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i policise:
Rreth orës 10:45, në një kompleks në Shëngjin, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi K. Gj., rreth 35 vjeç. I dëmtuari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore janë identifikuar dy shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave.
–
Rreth orës 09:55, jemi njoftuar se në fshatin Balldren i Vjetër, Lezhë, në një terren të hapur në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse, pa shkaktuar dëme në njerëz apo dëme materiale.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore.
Në lidhje me këtë ngjarje, është shoqëruar 1 shtetas i dyshuar dhe po kryhen veprime të mëtejshme për sqarimin e rrethanave.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin ligjor të të dy ngjarjeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.






