Kryetari i PD-së, Sali Berisha mblodhi sot Këshillin Kombëtar për të kërkuar një angazhim më të madh në nivel seksioni e në  e në çdo skaj.

Berisha kërkoi mobilizimin e misionarëve  ata që kanë forcën e fjalës dhe bindin me fjalë pasi çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të.

Sali Berisha: Ju përshendës përzemërsisht!

Kjo është një mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se ne miratojmë sot këtu rregullat në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve.

Në sot, në përputhje me vendimet statutore shënojmë një hap të madh si forcë politike  e rithemeluar. Unë kërkoj nga ju që termin “rithemelim” të mos e lexojmë në asnjë mënyrë si një meritë e jona. Termin “rithemelim” ta lexojmë dhe ta kuptojmë  si një detyrim madhor i një demokrati dhe një demokrate. Për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’u parqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta, si një forcë e rithemeluar.

Mos harroni një gjë, se detyra më kryesore e jona është të fitojmë mendjen dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç ishim nuk i fitonim, përkundrazi. Pra kërkohet një ndryshim i madh. Proces në të cilin ne jemi sot. Në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë për t’u paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, një forcë politike e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetatrin shqiptar. Si një forcë politike e cila del me shpejtësi dhe përfundimisht nga apatia 8 vjeçare e saj.

Rëndomë diskutojmë me njëri-tjetrin se ka frikë. Është e vërtetë që ka frikë. Është e vërtetë se Edi Rama arriti të ngulitë frikën tek punonjësit, tek qytetarët. Por mos harroni, kur një regjim arreston 38 mijë qytetarë në një vit sigurisht që mbjell frikë dhe terror. Por e gjitha kjo erdhi se ne nuk ishim në lartësinë ku duhet të ishim. Sepse ne nuk ishim dhëmb për dhëmbë me të. Sepse të tjerët nuk panë tek ne forcën politike që u del zot atyre.

Dhe u ndala vetëm në këtë pikë, që të mos rrimë të flasim për frikën, por të vrasim frikën. Ajo vritet me fjalën tonë, me takimin tonë në çdo skaj të Shqipërisë. Me qytetarët, me grupe interesi dhe kudo. Morra vetëm këtë aspekt. Kur themi një forcë e ndryshuar, e rithemeluar, padiskutim që kemi parasysh rivendosjen e vlerave themelore mbi të vilat është ngritur Partia Demokratike. Këtë e bëjmë, por nuk mjafton. Diçka tjetër më e vështirë dhe përcaktuese është mundi, djersa që duhet të derdhë secili prej nesh çdo ditë për suksesin e kësaj force.

Edhe njëherë po e përsëris, arritja e 7 marsit ishte madhore, por nuk ishte vendimtare. Arritja bëhet vendimtare vetëm kur secili prej jush, çdo demokrat të shtrojë pyetjen se çfarë bëra sot dhe çfarë do bëj nesër për të afruar fitoren e Partisë Demokratike. Çfarë bëra sot dhe çfarë do bëj nesër për të bindur në kauzën tonë, në drejtësinë e kauzës sonë.

Ky është një oqean pune. Një det pune. Ku jemi ne me këtë? Absolutisht jemi larg.

Dhe dua t’u them një gjë. Për njeriun nuk ka gjë më të rëndësishme se realizmi. Kushti më themelor për të ndërtuar punën, për të ndërtuar suksesin, është thjesht realist. T’i shohësh gjërat me realizëm, sado të papërshtatshme, sado të hidhura të jenë, ti i ndryshon ato. Nëse nuk i sheh me realizëm, nuk sheh asgjë, noton mbi to.

Koha është jashtëzakonisht e veçantë, e rëndë. Shikoni, në historinë e këtij vendi, Shqipëria ka pasur diktatorë gjakësore, ka pasur diktatorë që paraqiteshin liberalë, por pushkatonin njerëz në kufi. Por nuk ka pasur kurrë një kryeministër që tallej në mënyrën më cinike me qytetarët e vendit siç është Edi Rama.

Dje u thotë u hoqa fashon, sot thotë se fashoja është në fuqi. Sikur nuk flet për qytetarët shqiptarë, jo për njerëz që duhet të dyfishojnë pagesën nga xhepi për të paguar energjinë. Po sikur flet për kuzhinën e tij, për oborrin në Surrel. Sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia e tij dhe i trajton shqiptarët si askush tjetër. Ky ka rekorde botërore cinizmi. Kullën 14 kate nuk e sheh, i duhet sateliti për ta parë. Sepse i duhet të vjedhë me satelitët.

Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet me qënien e tij, është Edi Rama. Problemi është ku jemi ne? Nuk ka nevojë Edi Rama të na dhurojë asgjë tjetër më shumë për fitoren tonë se të këqijat që i ka bërë këtij populli dhe kësaj shoqërie.

Ku është Partia Demokratike sot? Është larg në aktivitetet e saj, larg asaj që duhet të jetë. Kur them Partia Demokratike, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet e Partisë Demokratike. Si të jenë ata, do jemi ne.

E vërteta, thelbi i Partisë Demokratike para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Sepse vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai moment është votimi, ai moment është mobilizimi, ai moment është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet nivel seksioni.

Ku jemi ne në raport me këtë? Larg jemi. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme.  Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim.

Ne vetëm rrimë duke shprehur habi për veprimet e një njeriu që vjedh përditë qytetarët dhe tallet me ta. Tani ka kaluar në fazën e talljes. Në mëngjes ju thotë e hoqa fashon, në darkë thotë fasho nuk është hequr. Ne çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të. Ju, jam i sigurtë që merrni pyetje të ndryshme, edhe unë marr, “çfarë po bëni?” “A thatë shtator?”, “Ku jeni, ne po presim.”

Çfarë janë këto? Këto janë dëshmi se revolta, urrejtja për këtë qeveri tek qytetarët po vlon, po zjen. Por ne do shtrojmë pyetjen ku jemi ne. Çfarë bëjmë në? Çfarë aktivitetesh kemi bërë ne gjatë kësaj periudhe. Askush të mos mendojë se nuk dëmtohemi kur mediat thonë se Berisha po bën takime dhe nuk po ndihet.

Bashkëpunëtorët e mi të afërt po bëjnë takime, por këto takime nuk janë përcjellë në nivele siç duhet. Këto takime nuk po zhvillohen në nivel seksioni dhe grupseksioni, sipas një plani. Ne kemi nevojë emergjente.

Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet. Ju them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Sepse fjalët e mia janë një steam speech, janë një mori çështjesh që unë i kaloj nga audienca në audiencë.

A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, shumë të mëdha, por duhet t’i shfrytëzoni. Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, me guxim i bëri radiografinë sistemit të shëndetësisë në mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen e cila ngrihet me guxim dhe që denoncoi atë që po bëhet në arsim.

Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Kemi thënë, ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë. Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në këtë takime. E dëgjoj me interes shumë të madh. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë. Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim.

Duhet të jemi realist. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, kryetarët e degëve të  bëjnë mbledhjet e kryesisë, të miratojnë një plan pune të detajuar për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni. Të deleguarit i keni ju, do vijnë padiskutim. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mësuesi, mjeku, një inxhinieri, punëtari, një pensionisti.

Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë dhe identifikojnë. Mos të harrojmë se në 2-3 zgjedhjet e fundit kjo parti ka pasur me dhjetëra e dhjetëra qendra votimi pa komisionerë.  E turpshme, një parti kombëtare shkon dhe përfundon aty nuk është e zonja të nxjerr komisionerë.

Genc Deromemaj njëherë do më propozonte dhe më thoshte: “Doktor, gjëja më e rëndësishme është të përqëndrohemi në 2-3 persona që të kemi të garantuar qendrën.” Kishte shumë të drejtë, sepse na kanë ngelur me dhjetra qendra pa njerëz fare.

Tani vijmë te një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Vijmë te primaret. Grupi i punës ka bërë një punë këto ditë intensive. Por grupi i punës ka pasur një shans dhe fat sepse bazuar në të gjithë veprimtarinë, ne miratuam një statut bashkërisht. Dhe statuti ynë është statuti që ndryshon Partinë Demokratike. Statut i cili vërtet e paraqet atë para shqiptaërve si një forcë tjetër politike. Prandaj ngado që sillemi, ne kemi vetëm një alternativë, të zbatojmë statutin e votuar nga Kuvendi i Partisë Demokratike. Ky është një kusht themelor. Statuti është Kushtetuta për të mos ndryshuar rrugën dhe për të mos u kthyer siç kemi qenë.

Shpesh herë na takon të dëgjojmë, që këtë ta marrë kryesia, atë ta marrë kryesia. Po të ecim kështu, ne shkojmë drejt autokracisë. Çfarë është autokracia? Gjithë pushteti te kryetari dhe pas kryetarit kryesia. Çfarë i mbetet anëtarit? Vetëm të duartrokasë. Jo, ne do i lëmë pushtetin që i takon anëtarit të Partisë Demokratike dhe këto janë përcaktimet e statutit tonë.

Ne do zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci e plotë e funksionimit të shtetit ligjor. Për të mos u thënë shqiptarëve se kullat nuk i shoh me sy, por do i shoh më satelit. Prandaj duhet të jemi të hekurt në zbatimin e statutit. Unë kam shumë besim se duke zbatuar statutin shprehim lojalitetin tonë ndaj parimeve që shpallim, ndaj anëtarëve që na kanë votuar dhe simpatizantëve tanë.

Unë këto kisha, le të vazhdojë me këtë mbledhje që unë e quaj historike për vendimet që kemi përpara, për etapën që kalon Partia Demokratike pas këtyre vendimeve.

E ritheksoj se veprimtaria e Partisë Demokratike është dhe duhet të jetë detyrimisht shumëplanëshe. Duke u përqendruar me të gjithë potencialin e saj në organizimin, në aktivitetet e lidhura me primaret, ajo është dhe do mbetet, ose ka për detyrë kryesore organizimin e revoltave të fuqishme paqësore dhe në kohën më të parë të mundshme.

As nuk është hequr dorë, as nuk do hiqet. Përkundrazi po punohet dhe do punohet me intensitet.  Do bëhet gjithçka për të bashkërenduar këtë aktivitet me të gjithë faktorët e rëndësishëm të Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, me sindikatat, me forca të tjera politike dhe nuk ka asnjë lloj ndryshimi në mendim se kjo betejë duhet të nisë sa më parë.

Faleminderit për shqetësimet që shprehet por ky mbetet një drejtim konstant i Partisë Demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu