Qeveria do të kthejë paratë te profesionistët e lirë brenda muajit dhjetor, pasi gjykata shpalli antikushtetues taksimin e tyre me 15%.
Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se vendimi për kthimin e 500 milionë lekëve do të zyrtarizohet javën tjetër.
“Brenda javës së ardhshme do të kemi lajm pozitiv për profesionistët e lirë. Brenda dhjetorit 2024 kthejmë të gjitha fondet e marra nga profesionistët e lirë dhe do të fshijmë të gjithë detyrimet e regjistruara gjatë kësaj periudhe”, tha ministri i Financave.
Megjithatë, debati për taksimin e kësaj kategorie nuk quhet i mbyllur sepse Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon në mënyrë të përsëritur që të mos ketë më përjashtime tatimore për profesionistët e lirë dhe biznesin e vogël.
“Ekziston nevoja për të ruajtur përfitimet e arritura me mund. Ka nevojë për qëndrueshmëri fiskale. Duhen përpjekje për rikstruimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar dhe duhet të hiqet norma zero e tatimit për bizneset e vogla”, tha shefja e misionit të FMN për Shqipërinë, Anke Weber.
Në një konferencë të përbashkët me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë, FMN tërhoqi vëmendjen e qeverisë që të mbajë nën monitorim tregun e pronave.