Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë (KISH) ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme gjatë protestës në kryeqytet, ku disa protestues hoqën dhe dogjën flamurin e Vatikanit pranë Nunciaturës Apostolike në Tiranë.
Dekleratë e Konferences Ipeshkvnore në lidhje me incidentin tek Ambasada e Vatikanit, Nunciatura Apostolike:
Gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet, është verifikuar një episod i papranueshëm, që ka prekur përfaqësinë e Vatikanit, Nunciaturën Apostolike në Tiranë.
Disa protestues kanë hequr flamurin e Vatikanit e më pas duket se e kanë djegur bashkë me objekte të tjera. Ky gjest është tërësisht i papranueshëm.
Është cenuar simboli i Selisë së Shenjtë e mund të cenohej edhe territori i Nunciaturës duke krijuar pasiguri te stafi i Ambasadës. Kjo shkon kundër ligjit, por edhe kundër virtytit të mikpritjes që shqiptarët kanë për mikun. E drejta e protestës nuk përfshin të drejtën e dhunës ndaj askujt e aq më tepër ndaj miqve të vendit tonë.
Ne si Konferencë ipeshkvore i shprehim afërsinë tonë Nuncit Apostolik, Sh.T. Imzot Miroslaw Adamczyk dhe stafit të tij e njëkohësisht dënojmë këtë gjest të papërgjegjshëm e të papranueshëm nga ana e protestuesve.
Nga ana tjetër u bëjmë thirrje institucioneve që të tregohen më të kujdesshme, të marrin masa paraprake e të mbrojnë, sipas ligjit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike, në këtë rast përfaqësinë e Selisë së Shenjtë. Gjithashtu ne dënojmë dhunën nga cilado anë të vijë, qoftë nga ana e protestuesve e qoftë nga ana e institucioneve shtetërore, kur ajo cenon jetën dhe shëndetin e protestuesve.
I lutemi Zotit për vendin tonë dhe urojmë që këto incidente të mos përsëriten më, ndërkohë që bëjmë thirrje për qetësi, paqe e dialog.






