Vllaznia dhe Tirana luajnë të premten në orën 17:00 në “Loro Boriçi” për raundin e 20-të në Superligë. Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, i cili tha se në një “Klasike” nuk ka rëndësi renditja.
Jemi të përgatitur për nesër, kemi uri për fitore dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ndeshjet derbi janë gjithmonë speciale dhe na duhet paraqitje speciale. Duhet të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen, të kemi atë ndjenjën e mirë të lojës. Kemi shanse të fitojmë, kemi lojtarë të kthyer dhe falenderoj stafin mjekësor. Nuk është si kundër Partizanit që kishim mungesa. Derbi është derbi, nuk ka lidhje renditja. Duhet të bëjmë një paraqitje speciale dhe të marrim më të mirën sepse luajmë në shtëpi. Të bëjmë presing, zgjidhje në sulm dhe të gjithë të besojmë gjatë 90 minutave se mund të fitojmë.
Lidhur me merkaton dhe bllokimet nga FIFA, tekniku Brdaric u shpreh:
Po, kam dëgjuar për këtë rast. Deri tani nuk kishim shenja se mund të përdornim Rrepajn dhe Mensah, kemi punuar me lojtarët që kemi të gatshëm. Janë djem të mirë dhe me cilësi, kanë potencial për të luajtur në Superligë. Duam t’i rrisim që të ndihmojnë ekipin, po punojnë mirë si gjithë lojtarët e tjerë, mos i ushtrojmë presion. Nga një anë e kemi të bllokuar dhe çdo lojtar që do na vijë e mirëpresim. Kemi ekip të fortë dhe po punojmë me ata që kemi të gatshëm. Essanga nuk është më pjesë e ekipit, i urojmë më të mirën dhe shëndet.
Lidhur me prezencën e tifozerisë kryeqytetase dhe përplasjet që vitet e fundit kanë shoqëruar mbështetësit e dy skuadrave, ai ka këtë koment.
Jemi profesionistë, të shijojmë këtë ndeshje dhe atmosfera në stadium është e mirëpritur. Shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë. Mos harrojmë që është një derbi dhe fansat të jenë të zjarrtë në tribuna.
Pas 19 javëve të luajtura kryeson Dinamo me 34 pikë, një më shumë se Partizani. Katërshen e “Final 4” e plotësojnë Vllaznia dhe Egnatia. Në fundin e ftohtë Tirana, Bylis dhe Skënderbeu.