“Kjo parti po bën histori me Reformën në Drejtësi”.
Kështu u shpreh kreu i qeverisë Edi Rama nga Durrësi ku po zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste. Duke u ndalur te marrëveshja e arritur mes Rithemelimit dhe mazhorancës disa ditë më parë, ku u vendos ngritja e dy komisioneve hetimore, Rama tha se çdo gjë është bërë brenda korizave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe hodhi poshtë pretendimet për “pazare”.
Rama: Kjo parti zgjidhet dhe do të vazhdojë të zgjidhet pa dilema nga shumica absolute e shqiptarëve. U pa qartë që nuk kishte asnjë Pazar, asnjë marrëveshje mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në kushtetutë nga ata që u përpoqën të marrin parlamentin peng në kërkim të të amundurës. Ajo marrëveshke thotë që shumica qeveris dhe pakica bën opozitë. Çfarë nuk ia merr dot me zgjedhje të lira PS, nuk ia merr dot me asnje formë abuzimi. Ato dy Komisione Hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga GJK, do t’i kishim votuar me kohë nëse nuk do të ishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize. Halli i tyre nuk ishin Komisionet Hetimore. Kjo kohë e re e Shqipërisë nuk ka kohë për të humbur me hallet e tyre me drejtësinë dhe me vulat e humbura. Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembër në radhët tona. Shyqyr që ia arritëm kësaj dite.
Rama tha me tej se procesi i rienergjizimit ka prekur çdo organizatë socialiste në të gjitha qytetet e vendit.
Rama: Sot në regjistrin digjital të PS numërohen 29.225 anëtarësime të reja. Shifra e anëtarësimeve të reja është domethënse për ne të gjithë, jo për tu ndalur këtu, por për të parë në pasqyrën e re të anëtëtarësisë së çdo qarku, potencialin e madh të rritjes së forcës tonë politike, shtrirjes së saj në çdo lagje dhe vendbanim, nga qendra në skajet e çdo bashkie dhe thellimit të influencës së saj në mendjet dhe zemrat e shqiptarëtve. Mos ndalemi këtu, por të vendosim dy objektiva. 50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin tonë të qershorit. Ojektivat janë tejkaluar sepse nuk kemi pritur që njerëzit të vijnë te ne, por kemi shkuar ne tek ata. E dyta, rishikimi i përbërjes së çdo organizate socialiste me qëllim harmonizimin me profilin politik dhe social të zonës që mbulon organizata socialiste.