Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka shprehur dhimbjen e saj të thellë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke falënderuar të gjithë ata që në këto çaste të vështira janë gjendur pranë Kishës Katolike shqiptare në mënyra të ndryshme. Në një deklaratë për shtyp, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë njofton se ditën e enjte, më 24 prill, në orën 18:00, do të kremtohet një meshë për shpirtin e Atit të Shenjtë, në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Në këtë meshë do të marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave në vend, ndërsa besimtarët ftohen të bashkohen në lutje për shpirtin e Papës.

Për të përfaqësuar Kishën Katolike shqiptare në ceremoninë mortore në Vatikan, është caktuar një delegacion zyrtar, i përbërë nga Sh.T. Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit.

Gjithashtu, Nunciatura Apostolike në Tiranë (Ambasada e Selisë së Shenjtë), do të presë ngushëllimet e rastit në datat 23 dhe 24 prill, gjatë orareve 10:00-12:30 dhe 14:00-17:00.

Ndërkohë, mesha e varrimit të Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, për të vijuar më pas sipas dëshirës së fundit të vetë Atit të Shenjtë, të shënuar në testamentin e tij.

Deklarata është firmosur nga Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike në Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu