Ballina Sport KF Vllaznia reagon pas barazimit në Elbasan: “Kërkojmë gjykim të drejtë dhe...

KF Vllaznia reagon pas barazimit në Elbasan: “Kërkojmë gjykim të drejtë dhe transparencë”

KF Vllaznia ka reaguar pas barazimit 1–1 ndaj AF Elbasanit në “Elbasan Arena”, duke ngritur shqetësime për organizimin e ndeshjes dhe standardin e arbitrimit.

Përmes një deklarate për shtyp, klubi shkodran ka kritikuar praninë e disa personave në tribunën VIP, pavarësisht se takimi duhej të zhvillohej pa spektatorë, në zbatim të vendimit të organeve disiplinore.

Sipas Vllaznisë, këta persona kanë fyer dhe provokuar vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e klubit gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa ka munguar reagimi i nevojshëm nga personat përgjegjës për organizimin dhe sigurinë.

Por shqetësimi kryesor i klubit lidhet me arbitrimin. Vëmendje e veçantë i kushtohet episodit të minutës së 34-t, kur, sipas Vllaznisë, lojtari i Elbasanit Abas kreu një ndërhyrje të rëndë ndaj Mehmetajt.

Klubi shkodran pretendon se ndërhyrja rrezikoi seriozisht shëndetin dhe karrierën e futbollistit dhe se episodi duhej të ishte shqyrtuar të paktën përmes sistemit VAR.

Vllaznia i referohet gjithashtu dy golave të anuluar në minutat shtesë, në minutat 90+2 dhe 90+6, duke kërkuar që të gjitha episodet vendimtare të ndeshjes të analizohen me profesionalizëm dhe transparencë.

KF Vllaznia nuk kërkon privilegje dhe nuk kërkon favorizim. Kërkojmë vetëm atë që duhet t’i garantohet çdo klubi dhe çdo skuadre që hyn në fushën e lojës: gjykim të drejtë, standard të njëjtë për të gjithë dhe respektim rigoroz të rregullave”, thuhet në reagimin e klubit.

Në përfundim, Vllaznia thekson se do të mbrojë interesat e saj vetëm në rrugë institucionale, ndërsa distancohet nga çdo formë dhune, fyerjeje apo reagimi që bie ndesh me vlerat e sportit.

Barazimi 1–1 në Elbasan ka lënë kështu pas vetes polemika, me klubin shkodran që kërkon një shqyrtim të plotë të episodeve të kontestuara të takimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks