Shkodra do të ketë një ekip të ri futbolli, me një emër simbolik për qytetin, KF Shiroka. Ai vjen si iniciativë e një grupi futbollistësh dhe ish futbollistësh, dashamirës të sportit, që e kanë të lidhur emrin e tyre me Shkodrën dhe futbollin. Klubi më i ri, i sapo formuar, do të debutojë këtë sezon të ri futbollistik 2024-2025, në kategorinë e tretë. Gjithçka është gati dhe e zyrtarizuar tashmë edhe në organin e lartë të futbollit, FSHF. Vetë klubi i ri i është drejtuar me këtë mesazh shkodranëve:
Statusi KF SHIROKA:
Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës, dashamirës të sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti. Kemi kënaqësinë të prezantojmë krijimin e klubit më të ri futbollistik, KF Shiroka, i cili nis prej këtij sezoni futbollistik 2024-2025, garën e tij në kategorinë e tretë. E ndërmorëm këtë nisëm me dëshirën dhe pasionin për të vijuar traditën e bukur që ka Shkodra, por edhe të frymëzuar nga talenti i të rinjve që nuk i mungojnë qytetit tonë dhe duan një hapësirë për tu angazhuar. Asnjë fillim nuk është i lehtë, por kemi bindjen se me mbështetjen e tifozerisë shkodrane që mbetet zemra e shpirti cdo ekipi, me pasionin, dëshirën dhe profesionalizmin e të gjithëve, do të japim më të mirën në fushë. Aty ku është pasqyra më e mirë e punës së një ekipi. KF Shiroka, me një emër që lidhet simbolikisht me një prej zonave të bukura të Shkodrës tonë, kërkon mbështetjen e të gjithëve ju. Na shkoftë e mbarë, për të mirën e sportit shkodran⚽️