Shqiptari Romeo Bajrami është vënë nën akuzë nga autoritetet federale amerikane për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Sipas mediave të huaja, ai dyshohet se kaloi kufirin nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara me një motor uji të tipit Sea-Doo, të marrë me qira.
Nga të dhënat e dosjes, të siguruara nga mediat e huaja, 40-vjeçari dyshohet se gjatë kalimit të lumit St. Clair ka hyrë live në Facebook. Por pamjet kur ai hyri live në rrjetet sociale, u përfshinë nga autoritetet në provat e hetimit.
Hetimet tregojnë se Bajrami kishte marrë me qira mjetin lundrues në qytetin Sarnia, në Kanada, por nuk e ktheu atë. Pas njoftimit të autoriteteve kanadeze, Garda Bregdetare dhe Patrulla Kufitare amerikane nisën kërkimet, duke e gjetur Sea-Doo-në të braktisur në brigjet e Port Huron, në Miçigan.
Gjatë hetimeve, agjentët zbuluan edhe një video publike në Facebook, ku sipas tyre shfaqet Bajrami duke kaluar lumin me Sea-Doo. Po ashtu sipas autoriteteve, të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me zonën ku ai dyshohet se hyri ilegalisht në territorin amerikan.
Pas gati një viti hetimesh, Bajrami u lokalizua në një burg në Boston, ku ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër. Bajrami tashmë përballet me akuzën për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim deri në gjashtë muaj burg./ shqiptarja.com






