Bashkia Shkodër ka nisur zbatimin e një nisme të re për sistemimin e tregtarëve ambulantë, me synimin për të liruar trotuaret dhe hapësirat publike, duke krijuar njëkohësisht kushte më të mira për ushtrimin e aktivitetit tregtar.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zhvilloi një takim me administratorët e rajoneve të qytetit, ku u prezantua modeli i ri “Tregjet e Lagjeve – Pika e Fshatarit”, i cili parashikon vendosjen e pikave të dedikuara me tezga të lëvizshme në lagje.
Sipas Becit, rreth 100 tregtarë që aktualisht ushtrojnë aktivitetin në trotuare do të sistemohen në këto hapësira të reja, ku do të mund të tregtojnë produktet e tyre pa pagesë dhe në kushte të organizuara.
Modeli i ri synon të çlirojë trotuaret për këmbësorët, t’u ofrojë fermerëve dhe tregtarëve një vend dinjitoz për punën e tyre, të afrojë produktet e freskëta pranë banorëve të çdo lagjeje dhe të rrisë standardet e pastërtisë, rregullit dhe cilësisë në qytet.
Kryebashkiaku theksoi se kjo është faza e parë e një transformimi që do të shtrihet gradualisht në të gjitha lagjet e Shkodrës, duke krijuar një model ku përfitojnë njëkohësisht qytetarët, tregtarët dhe vetë hapësira publike.






