Reshjet e dendura të shiut, era e fortë dhe reshjet e borës kanë shoqëruar qarkun Shkodër në 24 orët e fundit duke bërë që moti të vijojë të jetë i përkeqësuar. Në aksin Prekal-Kir në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje të mëdha të rrugës duke bllokuar këtë segment dhe duke e bërë të pakalueshëm. Bashkia Shkodër bëri me dije se rrëshqitjet e ndodhura në orët e mbrëmjes kanë bllokuar aksin Prekal – Kir për automjetet. Ajo ka vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për menaxhimin e kësaj situate ndërkohë që i bën thirrje banorëve që të bëjnë kujdes në këtë segment rrugor”. Rrëshqitje gurësh janë regjistruar edhe në një tjetër segment të lotit të dytë të rrugës Kir-Shosh, në vendin e quajtur Prroni i Çiverrit. “Me përmirësimin e kushteve atmosferike, firmat që po kryejnë investimin do të ndërhyjnë për zhbllokimin e rrugës. Në dy segmentet ku ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor ndodhet një rrugë që është ende në proces ndërtimi, si pjesë e investimit për rrugën e Dukagjinit. U bëj thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes, ndërsa firmat po marrin masa për ndërhyrje të shpejtë me qëllim zhbllokimin e rrugës dhe vijimin e investimit”, përfundon reagimin e tij kryebashkiaku i Shkodres. Ndërkohë emergjencat civile bëjnë të ditur se në akset e lotit 1, Hani Hotit – Tamarë, Tamarë – Vermosh dhe Bogë-Theth, gjatë natës ka patur reshje shiu dhe në lartësinë mbi 1000m ka patur reshje bore. Në akset Tamarë-Vermosh ka patur rënie gurësh dhe dalje të pakta inertesh por që janë marrë masat dhe janë pastruar. Mjetet dhe makineritë janë në terren në gadishmëri duke monitoruar situatën. Në bashkinë Vau Dejës vijon që të ketë mungesë të energjisë elektrike në fshatrat e njësive Hajmel. Vig Mnelë, Temal dhe Shllak. Në bashkinë Pukë vijon të ketë reshje shiu dhe erë të fortë. Në territorin e bashkisë Fushë Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rrugë rurale dhe një pjesë e tyre janë të pakalueshme për automjetet. Nga reshjet e shiut prej rreth 10mm gjatë 24 orëve nuk janë shkaktuar probleme në infrastrukturën e kullimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu