Erjon Bani është zgjedhur zv.kryetar i GJKKO-së. Bani do të zëvëndësojë Irena Gjokën, së cilës i ka mbaruar mandati si zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. GJKKO njofton se sot është kryer procesi zgjedhor. Erjon Bani u zgjodh me 6 vota, ndërkohë që 3 votat e tjera shkuan për kandidatin tjetër në garë Erjon Çela. Mësohet se  Bani do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të GJKKO, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Irena Gjoka ishte zgjedhur në këtë detyrë më 24.03.2021.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Më datë 24.03.2021 rezulton se znj.Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare eGjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.

2. Për këto arsye, Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuarzhvilloi sot më datë 25.03.2024 procedurën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z.Ilir Rusi.

3. Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga rradhët e gjyqtarëve të Gjykatës, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.

4.Në përfundim, Z. Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me 6 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

5. Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Z. Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu