SHËNIMI I DITËS PAS …
Dje e kremtuam si i ka hije: pak nëpër kisha, pak nëpër media, diku e thërritëm bijë, dikur tjetër grua e po ashtu shenjtëreshë apo humaniste. Me siguri dikush ka ndrydhur edhe buzët, sepse nuk mendon se ka kaq shumë rëndësi kjo grua e vogël, por, të gjetur përballë një shumësie njerëzish, që e duan, kanë heshtur ose kanë murmuritur midis tyre.
Shumë sosh ngatërruan “ditën e shenjtërimit” (4 shtator) të saj me “ditën e festës liturgjike” (5 shtator) që përkon me ditëvdekjen e saj. Lapsus-e të vogla nga pakujdesi (ose edhe padija xhanëm).
Veniale gjithsesi …
Por ajo që ditën pas mbetet, si në një festë ku kemi harxhuar të gjitha kursimet dhe fjalët, janë problemet e çdo dite e sidomos problemet e atyre të cilëve Nënë Tereza u kushtoi jetën e saj: të varfërit midis më të varfërve.
Ndërkohë në shtëpitë e tyre motrat vazhdojnë të kujdesen për të moshuar e të moshuara, për të braktisur e të sëmurë, duke i larë, pastruar e duke u përkujdesur për ta. Shpesh mes sakrificash të shumta.
Nga ana jonë, përkundër fasadave dhe premtimeve, nevojitet veprim konkret që varfëria e familjeve shqiptare të luftohet, pasi ajo ende mbetet e lartë. Jo vetëm një varfëri materiale, por edhe ajo e vetmisë e sidomos e shëndetit mendor dhe shpirtëror.
Kësisoj Nënë Tereza nuk mbetet vetëm simboli i një krenarie boshe, ndërtuar mbi gërmadhat dhe skeletet e varfërisë e të përjashtimit social, por kthehet në burim frymëzimi, që me anë të një dashurie vepruese, vokacioni i përnjmendtë i shenjtërve, të mund të lehtësojmë sadopak barrën e varfërisë.
Ditë të bukur!
D. Gjergji