I zhdukur prej 28 gushtit, është gjendur i pajetë biznesmeni shqiptar Xhani Topalli.
46 vjeçari është vrarë nga një pronar hoteli në ishullin e Rodosit, i cili tashmë është arrestuar.
Pronari i hotelit 53-vjeçar pranoi vrasjen e tij dhe më pas tregoi para autoriteteve se ku e kishte lënë trupin.
Trupi i pajetë i 46-vjeçarit Topali u gjet në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos, ndërsa dosja do t’i kalojë sot Prokurorisë për procedim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve të ” Demokratiki “, vdekja është shkaktuar nga mbytja me litar, ndërsa për bashkëpunim është arrestuar edhe djali i autorit, i cili dyshohet se e ka ndihmuar në transferimin e trupit.
Biznesmeni, baba i tre fëmijëve, rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht, kur pati një takim me një pronar hoteli 53-vjeçar nga Kallithea për t’i shlyer detyrimet sipas një marrëveshjeje që kishin lidhur.
Siç u bë e ditur, 46-vjeçari kishte llogari të hapura dhe tentonte të mblidhte borxhin nga biznesmenë të ndryshëm.
Pronari i hotelit, në deklaratën e parë që kishte dhënë, u kishte thënë autoriteteve se takimi i tyre ishte anuluar.
Megjithatë, gjatë hetimeve, provat dolën kryesisht nga kamerat që treguan se ata ishin takuar në një pikë ngjitur me njësinë hoteliere, shkruan Protothema.