Gjykata e Lezhës ka liruar tre punonjësit e burgut të Shënkollit, të cilët u arrestuan pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze. Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella u njohën me masat e sigurisë në një seancë me dyer të mbyllura. Ata deklaruan se ndodheshin në detyrë, por nuk e kishin konstatuar momentin e arratisjes së të dënuarit.

Pas shqyrtimit të çështjes, gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj dhe e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tyre. Megjithatë, ai vendosi masa sigurie më të lehta:

  • “Arrest në shtëpi” për Gjin Ndokën, punonjës shërbimi në kupolë, dhe Mark Nikollin, pjesë e grupit të sigurisë.
  • “Detyrim paraqitjeje” për Zhaneta Mellën, operatore e kamerave të sigurisë.

Të tre punonjësit akuzohen për “Shpërdorim detyre”, ndërsa hetimet po vijojnë nga Prokuroria e Lezhës.

Arratisja e 49-vjeçarit

Daut Laze u arratis nga burgu i Shënkollit në mbrëmjen e 3 shkurtit dhe ende nuk është gjetur nga policia. Sipas hetimeve, ai ka shfrytëzuar daljen për ajrim, ku ka përdorur një llamarinë për të kapërcyer murin mbi 4 metra të lartë në anën jugore të burgut.

49-vjeçari, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, ishte dënuar me mjekim të detyruar. Ai ndodhej në një sektor të veçantë të institucionit, që prej dy vitesh është shndërruar në strehë të përkohshme për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor. Aktualisht, aty strehohen 470 persona, të mbikëqyrur nga një staf prej 180 punonjësish.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu